Shqipëria kryeson me numrin më të lartë të të shëruarve nga virusi Korona

Shtetet fqinje vazhdojnë të shënojnë raste të reja me Koronavirus. Në Shqipëri shkon në 304 numri i përgjithshëm i të infektuarve, meqë në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 27 raste të reja. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli njoftoi se mosha mesatare e të prekurve është 50 vjeç. Shtoi se është në rritje edhe numri i të shëruarve.

Lajmi i mirë është që vazhdon të shtohet numri i të shëruarve nga sëmundja COVID 19. Tashmë listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 13 të tjerë, duke çuar numrin në 89 – tha Mira Rakacolli, Zv/ministre e Shëndetësisë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një statusi në Facebook iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes meqë sipas tij, “Vendi ka hyrë në zonën e zjarrit”. Edhe gjatë kësaj fundjave, do të zbatohet ndalesa e lëvizjes deri në mëngjesin e së hënës. Në Kosovë numri i të infektuarve është 126, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike iu ka kërkuar qytetarëve t’iu përmbahen rekomandimeve, duke theksuar se në të kundërt rrezikohet përhapje komunitare e pandemisë. Ndërkohë në Serbi janë konfirmuar edhe 305 raste të reja me Koronavirus, duke e çuar në 1 476 numrin e përgjithshëm të të prekurve. Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë edhe 8 persona, duke e çuar në 39 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi në këtë shtet. Greqia vazhdon të mbetet shteti fqinj më i prekur, me 53 viktima dhe 1 544 të infektuar. Ndërsa fqinji lindor, ka shënuar edhe 20 raste të reja, mes të cilëve edhe deputetë, me çka numri i të infektuarve ka shkuar në 477. Në 24 orët e fundit Bullgaria konfirmoi edhe 2 viktima, me çka numri total i viktimave shkon në 12.