Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, prezantoi dje uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%, duke e paraqitur si një masë serioze për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve pas krizës së naftës të shkaktuar nga ngjarjet në Iran. Rritja e çmimit të naftës ka qenë e menjëhershme, duke u reflektuar në tregjet ndërkombëtare me shpejtësinë e dritës, dhe kjo ka shtyrë qeverinë të ndërhyjë me masa konkrete për ta zbutur këtë krizë të re. Por, sa është efektive kjo masë? shkruan Zhurnal.
Çdo javë rritje çmimi sa efektive është masa?
Në javët e fundit, qytetarët kanë përjetuar rritje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve. Ulja e TVSH-së në 10% pritet të sjellë një lehtësim të vogël çmimi i benzinës do të mbetet pothuajse i pandryshuar, ndërsa dizeli do të rritet me vetëm disa denarë për litër. Megjithatë, kursimi real për konsumatorët është minimal, rreth disa denarë për litër, gjë që e bën këtë masë më shumë një gjest politik sesa një zgjidhje ekonomike afatgjatë. Në një treg ku çmimet luhaten çdo javë, efekti i saj në xhepat e qytetarëve është i kufizuar.
Nëse krahasojmë rritjet drastike të çmimeve kjo masë bëhet edhe më e padukshme. Për shembull çmimet e prodhimeve bujqësore nga kompanitë e Maqedonisë së Veriut për konsumatorët në muajin shkurt të vitit 2026 kanë shënuar një rritje prej 20,7% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2025, thonë të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikave.
Ky është vetëm një shembull që dëshmon qartësisht se nga njëra anë kemi rritje drastike të çmimeve pa kurrfarë tavani e derisa nga ana e pushtetit bëhet PR se gjoja po brengosen për shpenzimet e qytetarëve dhe plasojnë masa efekti i të cilëve vështirë që të gjej vend ndokund.
Serbia e Shqipëria me nga 20%, RMV vetëm në 10%
Kur jemi te masat që janë marrë në rajon, qeveria serbe mbetet e para ku më 13 mars vendosi ta ulë akcizën për derivatet e naftës për 20 përqind. Kjo do të jetë e përkohshme, do të vlejë deri më 15 prill. Përveç kësaj, deri më 19 mars në Serbi është në fuqi ndalesa e autoriteteve serbe për eksportin e naftës dhe derivateve të naftës.
Shqipëria uli gjithashtu akcizën por me rreth 20% për të ulur çmimet e naftës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për rritjen e e çmimit të naftës. Gjatë podcastit të tij ‘Flasim’, Rama u shpreh se nuk janë konstatuar abuzime në lidhje me këtë situatë dhe se monitorimi vazhdon. Rama tha se rritja e çmimit të naftës lidhet me situatën globale dhe ndikimin në zinxhirin e furnizimit. Sipas tij, vendi do të hyjë në regjimin e bordit të transparencës për të parandaluar përfitimet e padrejta nga kriza, ndërsa shtoi se qeveria ka vendosur uljen e akcizës së naftës me rreth 20% për të lehtësuar qytetarët.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar një kufi të marzheve të fitimit të shitjes së karburantit. Më 4 mars ministrja e industrisë, sipërmarrjes dhe tregtisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e publikoi vendimin për prezantimin e një kufizimi të përkohshëm të marzhit maksimal të lejuar për karburantet e tregtuara në tregun e Kosovës.
E fundit mbetet Maqedonia e Veriut, e cila vendosi ulje prej vetëm në 10%
Kthehemi te pyetja thelbësore masa serioze apo sipërfaqësore?
Nga njëra anë, ulja e TVSH-së është një masë serioze në aspektin politik, sepse qeveria po përpiqet të tregojë kujdes ndaj qytetarëve në një moment krize globale. Nga ana tjetër, në aspektin ekonomik, ajo është sipërfaqësore nuk adreson problemin bazë të varësisë nga tregjet ndërkombëtare të naftës dhe nuk ofron një zgjidhje afatgjatë. E aq më pak kur ulja është tejet simbolike.
Kujtojmë që, ulja e TVSH-së në 10%, nga 18% sa ishte deri më sot, është një masë e shpejtë dhe simbolike, që i jep qeverisë një instrument për të treguar se po vepron. Por në realitet, kursimi është i vogël dhe afatshkurtër. Nëse nuk shoqërohet me politika më të thella ekonomike, kjo ulje rrezikon të mbetet një masë sipërfaqësore më shumë për efekt politik sesa për lehtësim real të qytetarëve. /Zhurnal.mk



