Mitet e vjetra nacionaliste si “Shqipëria e Madhe”, “Serbia e Madhe” dhe “Greqia e Madhe” prej kohësh janë konsumuar dhe kanë dështuar historikisht, sidomos nëse e marrim parasysh faktin se Greqia tashmë është anëtare e Bashkimit Evropian. Në vend të zgjerimit territorial, integrimi evropian u bë korniza e vërtetë për zhvillimin politik dhe ekonomik, shkruan Portalb.mk.
Në këtë kontekst vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së mbeten të bllokuara në frikën dhe mosbesimin e ndërsjellë, gjë që i distancon edhe më shumë nga rruga e tyre e zhvillimit. Narrative të tilla nuk ndërtojnë një të ardhme, por mbajnë konflikte artificiale dhe shërbejnë si një mjet për mobilizim të brendshëm politik.
Prandaj, lind pyetja: kush përfiton nga ringjallja e këtyre retorikave të konsumuara prej kohësh në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga rajoni dhe e kërkojnë të ardhmen e tyre pikërisht në vendet evropiane?
Citimi selektiv dhe mobilizimi etnik në diskursin parazgjedhor
Në Maqedoninë e Veriut ky narrativ është dominant për shkak të situatës aktuale politike dhe përfaqëson një nga diskurset më të lehtë për t’u ndezur kur bëhet fjalë për polarizimin, gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike. Interpretimet nacionaliste aktivizohen shpejt, sidomos kur deklaratat e politikanëve përcillen në mënyrë gjysmake, selektive dhe pa një kontekst më të gjerë.
Një shembull i tillë është deklarata e Ali Ahmetit e dhënë më 24 shtator të vitit 2025, në të cilën ai paralajmëroi se nëse Maqedonia e Veriut nuk vazhdon në rrugën drejt Bashkimit Evropian qytetarët mund të përballen me zgjedhjen për të kërkuar një të ardhme në vende të tjera, një pjesë në Shqipëri, një pjesë në Bullgari. Në të njëjtën deklaratë Ahmeti në mënyrë eksplicite bëri thirrje që të mos nxitet urrejtje, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për pretendime territoriale, por për realitetin se Shqipëria dhe Bullgaria tashmë janë anëtare të BE-së, gjë që nuk është plotësisht e vërtetë.
Por, një pjesë e konsiderueshme e mediave këtë mesazh e përcollën jashtë kontekstit, duke e reduktuar atë në një titull senzacionalist:
“Maqedonia do të ndahet, disa do të shkojnë me Shqipërinë, ndërsa të tjerët me Bullgarinë”, me ç’rast deklarata u paraqit si një parashikim ose kërcënim për shpërbërjen e shtetit.
Me këtë narrativ shpesh manipulojnë edhe aktorë të tjerë politikë duke iu referuar deklaratave të vjetra të nxjerra nga konteksti. Një shembull i tillë është postimi i një deputeti nga partia “E Majta” në të cilin riciklohet një fjalim i vjetër nga Bilall Kasami e që paraqitet si një qëndrim aktual dhe programor.
Në postimin në fjalë Kasamit i atribuohet deklarata “Ta bëjmë Maqedoninë shtetin e dytë shqiptar”, pa e theksuar kohën, shkakun apo kontekstin, me çka krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një agjendë politike aktuale. Thirrja e këtillë selektive ndaj fjalimeve të vjetra shërben për ta ringjallur artificialisht frikën që lidhet me “Shqipërinë e Madhe” dhe albanizimin e supozuar të shoqërisë në Maqedoni.
Edhe pse zyrtarisht albanofobia mohohe,t retorika është e mbushur me akuza të koduara etnikisht, si “neo-albanizmi”, “irredentizmi” dhe “maqedonofobia”, të cilat e thellojnë mosbesimin ndëretnik. Përveç kësaj, me tërheqje nga VMRO-DPMNE-në, po ndërtohet një front politik polarizues ku çështja etnike përdoret si mjet për mobilizim zgjedhor.
Kulminimi i mesazhit është teza alarmuese se me mbështetjen zgjedhore për parti të caktuara Maqedonia do të bëhet një “shtet i dytë shqiptar”, që paraqet një shembull klasik i një narrativi dezinformativ të bazuar në frikë, citime selektive dhe revizionizëm historik, e jo në procese reale politike.
Shqipëria, “Shqipëria e Madhe” dhe rivaliteti Rama-Kurti
Shqipëria si shtet, sidomos në këto vitet e fundit, nuk e ka mbështetur qartë projektin për një “Shqipëri të Madhe”. Për Tiranën me sa duket një prioritet shumë më i lartë është integrimi evropian, stabiliteti rajonal dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë. Kryeministri shqiptar Edi Rama këtë e shpreh qartë në politikën e tij: qëllimi është përfundimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027 dhe arritja e anëtarësimit të plotë deri në vitin 2030. Një zgjerim i mundshëm territorial jo vetëm që nuk është prioritet, por do ta rrezikonte edhe këtë agjendë evropiane dhe do ta kthente Shqipërinë në narrativet e vjetra nacionaliste dhe të konfliktit në Ballkan.
Përveç kësaj, raporti mes Edi Ramës dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e pasqyron dinamikën komplekse të politikës shqiptare në Ballkan. Rama pozicionohet si një udhëheqës pragmatik i përqendruar në stabilitetin dhe integrimin evropian, ndërsa Kurti vepron më ashpër me theks në sovranitetin e Kosovës. Rivaliteti i tyre reflektohet edhe në politikën e brendshme, krijon një polarizim ndërkufitar dhe e vështirëson harmonizimin e politikave qeveritare. Edhe krahas bazës së tyre të përbashkët etnike, konflikti tregon se Shqipëria dhe Kosova nuk janë gjithmonë të harmonizuara në prioritetet e tyre, duke e theksuar nevojën për dialog dhe kompromis.
Narrativi për “Shqipërinë e Madhe” bie ndesh edhe me qëllimet diplomatike të Kosovës sepse e minon sovranitetin, integritetin territorial dhe bashkëjetesën multietnike si parakushte për njohjen ndërkombëtare dhe integrimin evropian.
Qëllimi primar i Kosovës është njohja e plotë ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në. Synimi për bashkim me Shqipërinë do të sugjeronte që shtetësia aktuale e Kosovës është vetëm një qëllim dytësor ose i përkohshëm, duke i dhënë potencialisht besueshmëri argumenteve kundër legjitimitetit të saj të pavarur dhe duke u shërbyer vendeve si Serbia dhe Rusia , të cilat e kontestojnë ekzistencën e saj.
Gazetari dhe udhëheqësi i programit kundër dezinformatave, Fitim Gashi, nga “Sbunker” thekson se tema mbetet e ndjeshme dhe ndikon në ekuilibrin midis qëllimeve simbolike kombëtare dhe nevojave të vërteta diplomatike të Kosovës.

“Megjithatë, udhëheqësia kryesore politike e Kosovës në përgjithësi e shmang mbështetjen zyrtare të projektit “Shqipëria e Madhe” për arsye të ndryshme. Qëndrimet zyrtare si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria pretendojnë se “bashkimi kombëtar” i vërtetë do të arrihet përmes procesit të pranimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian, me ç’rast kufijtë brenda Unionit bëhen më pak të rëndësishëm. Kjo qasje konsiderohet si një rrugë më e sigurt dhe më pak e ndërlikuar sesa ndryshimet territoriale”, thotë Gashi.
Edhe pse narrativi për “Shqipërinë e Madhe” shpesh përdoret për mobilizim të brendshëm politik dhe i shërben agjendave specifike politike, realiteti është krejt ndryshe. Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, synojnë integrimin evropian si rrugën kryesore për stabilitet, zhvillim dhe bashkëpunim rajonal.
Bojana Zoriq, analiste politike në Institutin e Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), thekson se të gjitha narrativet që e cënojnë stabilitetin rajonal ose që i vënë në pikëpyetje kufijtë ekzistues janë fundamentalisht jokompatibile me procesin e integrimit në BE.

“Institucionet dhe liderët e BE-së vazhdimisht theksojnë se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjithë partnerëve në procesin e zgjerimit duhet të respektohen plotësisht dhe se çdo retorikë apo veprim që i konteston këto parime është i papranueshëm. Përveç kësaj, BE-ja vazhdimisht thekson se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor janë në thelb të pranimit. Sipas kësaj, përpjekjet e vazhdueshme për nxitjen e besimit rajonal, për ruajtjen e stabilitetit dhe për shmangjen e narrativave përçarëse ose revizioniste janë të domosdoshme për Shqipërinë – siç janë për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, deri sa po përparojnë në rrugën drejt pranimit në BE”, tha Zoriq.
Ballkani ndodhet në një pozicion të ndërlikuar ku ndërthuren ndikimet e politikës së jashtme dhe dobësitë e brendshme. Historia dhe konfiguracioni gjeopolitik e bëjnë rajonin të cenueshëm ndaj presioneve të jashtme dhe interesave të fuqive të mëdha, ndërsa problemet e brendshme si korrupsioni, kapaciteti i dobët institucional, nacionalizmi dhe mosbesimi midis komuniteteve etnike shpesh i thellojnë konfliktet dhe e pengojnë stabilitetin ekonomik dhe politik.
Me fjalë të tjera Ballkani shpesh vuan edhe nga manipulimet e jashtme, por në të njëjtën edhe vetë krijon kufizime përmes mosmarrëveshjeve, miteve të vjetra nacionaliste dhe politikave që nuk janë të orientuara drejt rezultateve dhe bashkëpunimit rajonal.
Ballkani ka nevojë për një politikë që nuk bazohet në nacionalizëm dhe frikë, por në rezultate konkrete dhe zhvillim ekonomik. Pikët politike duhet të arrihen përmes përmirësimit të standardeve të jetesës, krijimit të vendeve të punës, modernizimit të infrastrukturës dhe trajtimit të problemeve sistemike si papunësia, korrupsioni dhe bashkëpunimi i dobët rajonal. Integrimi evropian dhe bashkëpunimi midis fqinjëve ofrojnë një kornizë realiste për zgjidhjen e këtyre sfidave dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, të begatë dhe të besueshme, ku nacionalizmi dhe frika nuk janë më mjete për mobilizim politik. Ballkani duhet të dalë nga mentaliteti i viktimës dhe të përqendrohet në të ardhmen, e jo të lidhet për mite nacionaliste të konsumuara.




