Nga mbledhja e qeverive në Pejë e deri të përplasja e fundit mes Ramës dhe Haradinajt kanë ndodhur shumë ngjarje të cilat acaruan raportin e dy kryeministrave, por që i njëjti u përkthye edhe në raport shtetëror.
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress deklaroi se ky konflikt është nga ato raste tipike që raporti personal ndikon në marrëdhënien e dy vendeve.
Ai tha se raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës në dy dekadat e fundit janë raporte personale ku liderët nuk komunikojnë përmes institucioneve por e bëjnë direkt dhe kjo krijon mundësinë që kur raportet personale të dëmtohen, atëherë dëmtohen edhe ato shtetërore.
Për Krasniqin, marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Kosovës që kur vendi ynë shpalli pavarësinë, nuk kanë qenë më të dobëta sesa në këtë moment dhe kjo është përgjegjësi e dyanshme.
“ Z. Rama dhe z. Haradinaj kanë pasur raporte shumë të mira, patën disa mbledhje qeverie, disa nisma, një retorikë që madje shqetësoi ndërkombëtarët sikur palët kanë projekte afatgjate dhe koha tregoi që qëndrimet e tyre janë krejt të ndryshme dhe konflikti i tyre personal është konflikt shtetëror dhe asnjëherë që kur Kosova është bërë e pavarur marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë qenë më të dobëta sesa në këtë moment dhe kjo është përgjegjësi e dyanshme por përgjegjësia kryesore është përgjegjësi e Tiranës. Tirana zyrtare ka një konflikt politik brenda dhe do të duhej që gjithmonë të mos përfshijë gjëra të politikës së ditës në rastin e Kosovës por ta trajtojë Kosovën, ashtu siç është prioritet kombëtar, prioritet shtetëror dhe të ndërhyjmë kur e kemi detyrim kushtetues të Shqipërisë”, u shpreh Krasniqi.
Pas padisë që Rama bëri ndaj Haradinajt, para pak ditësh pati edhe një replikë në distancë mes tyre nisur nga prezenca e kryeministrit kosovar në një emision në Shqipëri.
Pikërisht për llogoret që janë hapur nëpër studio televizive, Krasniqi tha se është investim në drejtim të gabuar dhe se po hedhim baltë mbi fytyrën tonë të cilën duhet kohë për ta hequr.
Sipas tij, nga kjo situatë po përfitojnë vetëm kundërshtarët tanë dhe humbës është populli shqiptar.
“Edhe skena që vijnë politikanë nga Prishtina në Tiranë dhe mbushin studio televizive duke sulmuar politikanë të Tiranës dhe anasjelltas, përfaqësues, emisarë të kryeministrit të Shqipërisë që mbushin ekranet e Kosovës kundër politikanëve të caktuar në Kosovë janë investim në drejtimin e gabuar dhe ne po hedhim aq shumë baltë mbi fytyrën tonë dhe mbi njëri-tjetrin sa do të duhen muaj të tërë për ta larguar dhe ky është një paradoks i madh, një zhvillim që duket sikur nuk ka çmim por prapë do të ishte investim i mirë për kundërshtarët tanë”, vijoi Krasniqi.
Analisti i njohur shqiptar ishte kritik edhe ndaj Tiranës zyrtare duke thënë se nuk duhet të shfrytëzohen konferencat rajonale e ndërkombëtare për të kritikuar Kosovën.
Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë mësim nga viti 1997 dhe reagimi i liderëve shqiptarë të Kosovës pas takimit të kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Fatos Nano me Sllobodan Millosheviqin në Greqi, ku Tiranës i ishte kërkuar të mos marrë nisma ndërkombëtare në emër të Kosovës pa u konsultuar me Kosovën.
Duke u ndalur të i ashtuquajturi “Minishengen ballkanik”, Krasniqi tha se takimi në Durrës e Tiranë u dominua me kritika ndaj Kosovës.
Megjithëse theksoi se kjo nismë nuk ka të bëjë me tradhti siç u cilësua, ai tha se nuk janë të nevojshme nismat që mbivendosin prioritetet kombëtare dhe që i bëjnë dëm të dy shoqërive në Kosovë dhe Shqipëri.
Për vet “Minishengenin ballkanik”, ish-këshilltari i dy presidentëve shqiptarë tha se pret të jetë pa ndonjë produkt.
“Tashmë kur bëhet e qartë që nuk është një nismë e përkrahur dhe përgatitur nga partnerët tanë strategjikë, por duhet të kuptohemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Berlini, ose Bashkimi Evropian, i mirëpresin nismat e tilla por nuk janë pas tyre dhe ky është dallim i madh atëherë do të thotë se është një lëvizje politike e panevojshme dhe unë pres të jetë pa produkt. Interesi kryesor i Shqipërisë është marrja e ftesës nga Bashkimi Evropian për nisjen e bisedimeve dhe Kosovës për një raport të ri me Bashkimin Evropian, sidomos me liberalizimin e vizave që është një premtim i vonuar, dhe kjo lloj agjende nuk duhet kundërvënë, nuk duhet mbivendosur dhe nuk duhet mënjanuar nga asnjë agjendë tjetër personale apo rajonale”, tha Krasniqi.