Shqipëri, vdes 34 vjeçarja e prekur nga koronavirusi

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka njoftuar se një 34 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e Covid-19.

Bëhet e ditur se ajo vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Ajo është viktima më re në moshë deri më tani në Shqipëri.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Në Shqipëri janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.