Në Tiranë për herë të parë po mbahet samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.
Rreth 2 orë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti liderët e rajonit dhe të BE-së.
Kjo është hera e parë që po mbahet një samit i BE-së në një vend jo anëtarë të BE-së siç është Shqipëria.
Kryeministri shqiptar Rama tha se kjo është një ditë e jashtëzakonshme që nuk ishte menduar më parë.
“Për ne kjo është e jashtëzakonshme. Është diçka që edhe në imagjinatën më guximtare nuk do ta kishte përfytyruar që do të ndodhte kjo që po ndodh. Mendoj se është një sinjal i fortë, sinjal i vetëdijes së BE, se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani për BE. Deri dje kishim një mot si në BE, por nuk mund t’ju mirëprisnim me atë mot, dhe sollëm diellin për ju shpresoj që ta vlerësoni”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Ndërkaq është edhe hera e parë që një president francez viziton për herë të parë Shqipërinë.
“Dua të them që jemi shumë krenarë dhe të lumtur që gjendemi këtu. Miku im i mirë, kryeministri Edi Rama më ka ftuar disa herë. Jam këtu por do të kthehem për një takim dy palësh. Me një mot kaq me diell duhet të jeni tejet krenar që prisni Bashkimin Europian”.
Në samit u dok edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e kishte në pikëpyetje pjesëmarrjen e tij. Për media tha se është më mirë të jesh në tavolinë se sa të mos jesh fare.
“Pati një sërë çështje të ndryshme. Reagime qytetare për çështjen e dialogut me Kosovën dhe faktikisht kjo ishte arsyeja kryesore. Në fund pas konsultimeve që zhvilluam brenda shtetit vendosëm të vinin dhe të diskutonim të gjitha çështjet sepse kemi një mundësi ku se paku të themi se çfarë mendojmë për këtë dhe mbetemi të përkushtuar në procesin e dialogut”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Edhepresidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel, këtë ditë e vlerësoi si historike jo vetëm për Tiranën, por edhe për marrëdhënien e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
“Ky do të jetë një takim i rëndësishëm, një takim simbolik. Është hera e parë që ndajmë një samit të BE-së të Ballkanit në një prej vendeve të rajonit. Jam absolutisht i bindur se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin perëndimor brenda BE-së”, deklaroi Sharl Mishel.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE ka përgatitur paketë ndihme me vlerë 500 mln euro në mbështetje të Ballkanit Perëndimor
“Bashkimi Europian ka miratuar një paketë ndihme energjie në vlerën e 500 milionë eurove të cilat do të përdoren për të mbështetur familjet dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor me qëllim që rajoni të kapërcejë vështirësitë energjetike në këto kohë krize. Kemi miratuar gjithashtu paketën tjetër prej 5 milionë eurosh te cilat do të shkojnë direkt në infrastrukturë për energjinë e pastër, energjinë e të ardhmes”, pohoi Ursula von der Leyen.
Në këtë samit diskutohen temat pasojat e pushtimit rus të Ukrainës në rajon, politika e jashtme dhe siguria, si dhe përballimi i krizës energjetike.