Shqipëri, një mjek infektohet nga koronavirusi

COVID 19 vazhdon të përhapet gjithandej. Në Shqipëri numri i të infektuarve shkoi në 33, ndërsa gruaja nga Durrësi mbetet viktima e vetme. Aktualisht, 8 nga të infektuarit janë shtruar në Spitalin infektiv, ndërsa 25 ndodhen në vetë-izolim shtëpiak.

“Nga rastet e konfirmuara pozitiv, në Tiranë 19 raste, në Durrës 5 raste, në Lushnjë 1 rast, në Elbasan 2 raste, në Fier 4 raste, në Rogozhinë 2 raste”-tha Mira Rakacolli, Zv/ministre e Shëndetësisë së Shqipërisë.

Në vazhdë të masave parandaluese, autoritetet shqiptare kufizuan qarkullimin në kufijtë me shtetet fqinje, si me Maqedoninë e Veriut ashtu edhe me Kosovën deri më 15 mars. Ndërsa paraprakisht mbyllën shkollat e lokalet, ndaluan tubimet publike dhe qarkullimin e automjeteve në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë. Përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga shtëpia e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama iu kërkoi qytetarëve të respektojnë masat duke ua kumtuar sanksionet e reja.

“Kush do të kapet në qarkullim në thyerje të rregullores së emergjencës, mund ta humbasë patentën përfundimisht dhe të ndalohet për disa vjet të hyjë në kurs për të rimarrë. Apo kush do të luajë të zgjuarin me çmimet e ushqimeve dhe barërave mund ta humbasë përfundimisht të drejtën të tregtojë”-pohoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Kosova dhe Mali i Zi vazhdojnë të mbeten të vetmet vende në rajon pa asnjë rast me virusin Korona. Megjithatë derisa po pret rezultate për 15 të dyshuar, Kosova ka ndërmarrë masa të ndryshme parandaluese. Nga shtetet e tjera ballkanike, Serbia ka 31 të prekur, aq sa edhe Kroacia, Rumania ka 70. Në Greqi janë shënuar 117 raste dhe një viktimë, në Slloveni 96, në Bosnjë 11, ndërsa në Turqi 2 raste. Nga shtetet evropiane më shumë raste të reja janë shënuar në Spanjë dhe Gjermani. Në nivel global, Covid 19 ka prekur mbi 138 000 persona, prej të cilëve mbi 5 000 kanë vdekur, ndërsa mbi 70 000 janë shëruar. Në shtetin e origjinës, Kinë është ulur intensiteti i përhapjes së virusit. Situata është përkeqësuar në Iran me 85 vdekje e 1289 raste të reja. Pandemia ka detyruar të gjitha shtetet në botë të ndërmarrin masa nga më të ndryshmet. SHBA ka ndaluar udhëtimet nga 26 shtete evropiane. Çekia, India, Kuvajti kanë ndërprerë dhënien e vizave për të gjithë shtetasit e huaj, ndërkohë edhe shumë shtete të tjera kanë ndaluar udhëtimet nga shtetet më të prekura.