Shqipëri, ndalohen mbrëmjet e maturës për shkak të pandemisë

Pandemia e koronavirusit sivjet në Shqipëri do ta ndërpresë edhe traditën e mbajtjes së mbrëmjeve maturës.

Ndalesën për mbajtjen e tyre e bëri të ditur ministrja e Arsimit Besa Shahini në komunikimin e rregullt onlajn, duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të ketë mbrëmje të maturës.

“Për fat të keq. Mbrëmjet e Maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”, u përgjigj Shahini.

Paraprakisht, Ministria e Arsimit bëri të ditur se viti shkollor 2019/2020 në Shqipëri do të përfundojë pa mundësi që nxënësit dhe studentët të kthehen në ambientet e shkollës.

Sot Shahini informoi se për rikthimin në shkollë më datë 18 maj të maturantëve, duke sqaruar se nuk është e detyrueshme.

“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e Maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e Maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 Majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”, sqaroi Shahini./MIA