Shqipëri, Meta kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve

Presidenti shqiptar Ilir Meta është hedhur në një ofensivë takimesh me ndërkombëtarët, në prag të protestës “Besëlidhja Kuq e Zi”. Paraditen e të enjtes presidenti ka zhvilluar një takim me tre ambasadorë, të Holandës, Suedisë dhe Spanjës. Vetë presidenti u ka bërë një prezantim e të atyre që i cilëson si fakte se një grusht shteti është konsumuar, nga shumica, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Meta synon t’i bindë ata se Besëlidhja e 2 Marsit është një akt legjitim dhe i domosdoshëm për Shqipërinë. Ndërkohë Top Channel ka njoftuar se pritet që në delegacionin e BE në Tiranë gjatë ditëve të ardhshme, të organizohet një takim urgjent me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE nga ku do të dilet me një qëndrim të unifikuar për 2 Marsin. Protesta në Shqipëri është thirrur nga Presidenti, siç thonë, për t’i dalë në mbrojtje Kushtetutës kurse ajo do të mbështetet edhe nga PD-ja e Lulzim Bashës.