Shqipëri, maturantët rikthehen në shkollë

Nën masa të forta sigurie dhe zbatim të distancës sociale dhe higjienës maturantët në Shqipëri janë rikthyer mëngjesin e së hënës në bankat e shkollës për t’i dhënë fund vitit shkollor.

Pas rreth 12 javësh pezullim të procesit mësimor, maturantët janë rikthyer në shkollë për të vijuar me fazën përgatitore për provimet e maturës shtetërore.

Nëpër shkolla vihet re kujdesi i shtuar i higjienës dhe masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit Covid 19. Nxënësit mbeten skeptikë për kohën e shkurtër që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për provimet që përmbyllin ciklin 4 vjeçar të arsimit të mesëm.

Drejtuesit e gjimnazeve pohojnë se mësimi online u ka dhënë mundësinë për të marrë njohuritë e duhura, ndërsa sa i takon masave mbrojtëse pohojnë se janë prioritet i këtyre ditëve që kanë mbetur për të frekuentuar ambientet e shkollave.