Shqipëri: Masat për koronavirusin, shpërndahen 1.2 mln maska kirurgjikale në spitale

Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në të gjitha strukturat shëndetësore. Në mbledhjen e radhës së task-forcës së ngritur për koronavirusin, Manastirliu tha se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri, ndërkohë që janë testuar 18 persona që kanë rezultuar negativ.

“Deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Janë testuar 18 persona që kanë dalë negativ. Përveç mjeteve të mbrojtjes personale dhe stokut ekzistues tani që flasim ka nisur puna për të shpërndarë 1.2 milion maska kirurgjikale në të gjithë strukturat e vendit, parësorit dhe spitalet e vendit. 1 mln dollarë janë rialokuar dhe janë shtesë në buxhetet e spitaleve të vendit për të pasur stokun e mjaftueshëm për çdo skenar për masat e mbrojtjes personale.”, tha Manastirliu./oranews