NBA/Lakers dërrmojnë Warriors pa LeBronin

Fitore e lehtë e Los Angeles Lakers përballë Golden State, edhe pa praninë mbi parket të LeBron James, duke e çuar në shtatë numrin e fitoreve radhazi. Në “Chase Center” të San Franciscos, Lakers dominuan vendësit, duke fituar me një diferencë prej 30 pikësh 86-116. Përcaktues në këtë sfidë rezultati 17-40 i periodës së tretë, me Anthony Davis që e mbylli ndeshjen me 23 pikë, ndërsa Kyle Kuzma shtoi edhe 18 të tjera.

Vjen fitorja e pestë radhazi për Oklahoma City Thunder, me protagonist kryesor italianin Danilo Gallinari, autor i 24 pikëve përballë Sacramento Kings, që u dorëzua me rezultatin 112-108. Provë pozitive edhe për Shai Gilgeous-Alexander (20 pikë) dhe Chris Paul (17 pikë), ndërsa për Kings Harrison Barnes e mbylli me 21 pikë.

Pa Ben Simmons dhe Joel Embiid, Philadelphia 76ers u mbështetën te Tobias Harris për të fituar 115-106 ndaj New York Knicks. Sixers kanë ecurinë më të mirë të ndeshjeve shtëpiake me 28 fitore dhe vetëm 2 humbje. Ish-baketbollisti i Clippers shkëlqeu me 33 pikë, ndërsa  pas tij për 76ers vjen Shake Milton me 19 pikë. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe paraqitja e Al Horford, autor i 15 pikëve, 9 asisteve dhe 7 “rebound”. Për New Yorkun, që pësoi humbjen e gjashtë radhazi, ishte e pamjaftueshme paraqitja e Julius Randle, që realizoi “double double”: 30 pikë dhe 10 rikuperime.

Indiana Pacers iu imponuan 106-100 Portland Trail Blazers dhe qëndrojnë në garë me Miami Heat e Philadelphia 76ers për vendin e katërt në Lindje. Përcaktues “double double” i Domantas Sabonis (20 pikë dhe 11 “rebound”), ndërsa për Portlandin më i miri mbi parket rezultoi CJ McCollum me 28 pikë.

Rezultatet:

Philadelphia 76ers – New York Knicks 115-106

Indiana Pacers – Portland Trail Blazers 106-100

Oklahoma City Thunder – Sacramento Kings 112-108

Golden State Warriors – Los Angeles Lakers 86 – 116