Shqipëri, gjoba dhe mbyllje biznesi për afaristët që shkelin masat anti-COVID

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se janë dyfishuar grupet e inspektimit në zonat bregdetare për zbatimin e masave dhe protokolleve anti-COVID, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Gjatë inspektimit në Durrës, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ministrja Manastirliu u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë e bizneseve për masat dhe protokollet e vendosura

“Përgjatë fundjavës ka pasur disa shkelje të protokolleve sidomos përgjatë bregdetit duke qenë se sezoni turistik është hapur. Ne po dyfishojmë ekipet e terrenit. Po punojmë 24 orë në 24. Nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për shkelësit e masave dhe protokolleve. Mund të bëhen burim i përhapjes së infeksionit. Por kjo duhet të jetë një përpjekje në vazhdim e të gjithëve “, tha Manastirliu.