Shqipëri, 57 raste të reja me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se në vendin janë shënuar 57 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit. Ky është një rekord i ri për Shqipërinë, që dje shënoi 48 raste të reja. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me Covid-19 në Shqipëri shkon në 1.521.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar dhe rastet e reja janë regjistruar në Tiranë, Krujë, Vlorë, Shkodër, Lushnje, Pukë, Durrës dhe Fier, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas institucioneve shëndetësore, janë shëruar edhe 5 persona duke e rritur numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë në 1.044 dhe 36 persona kanë ndërruar jetë. Aktualisht 441 persona janë aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.

Deri më tani në Shqipëri janë kryer gjithsej 20.494 testime.

Për shkak të Covid-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore që është në fuqi deri më 23 qershor.