Pas më shumë se dy dekadash pritje, autostrada Shkup–Bllacë tashmë po hyn në fazën e realizimit të plotë. Më 26 gusht ka nisur zyrtarisht ndërtimi i segmentit të dytë, me gjatësi prej rreth 10.5 km, i cili do të lidhet me rreth 2 km autostradë të ndërtuara më herët pranë pikës kufitare Bllacë. Në total, lidhja nga kufiri deri te nyja e Stenkovecit do të jetë rreth 12 kilometra, por që shpronësimi i tokave private mbetet një problem i vazhdueshëm sikurse në segmentin e parë që shumë pronarë ishin në konteste gjyqësore.
“E dimë që shpronësimi paraqet problem sepse mund të pengoj realizimin e punimeve, por siç përmendi edhe drejtori Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët Shtetërore’, më shumë se 60% e shpronësimeve është kryer kështu që kemi një teren njëherë të hapur, ku mund të punojmë dhe nuk do të paraqitet asnjë problem, pasi që derisa ne punojmë edhe faza tjetër e shpronësimeve do të kryhet”, tha Kaltrina Zekolli – zëvendësministre e Transportit.
Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thonë se prej buxhetit të 222 milionë eurove të parapara për segmentin e dytë prej 10,5 km, rreth 20 milionë euro janë ndarë vetëm çështjen e shpronësimeve.
Për aksin e ri që nis direkt me urë aty ku përfundon segmenti i pare e deri te nyja e Stenkovecit janë të evidentuara 213 parcela kadastrale, me sipërfaqe totale 39.909m², sipas elaboratit gjeodezik të 2023-ës që ishte kërkuar në fazën e studimit të fizibilitetit për vlerësimin e trojeve, tokave bujqësore, pyjeve dhe objekteve. Puna ndërtimore do të zhvillohet paralelisht me përmbylljen e procedurave të shpronësimit, ndërsa çështja e parcelave private të zgjidhet në periudhën e parë të realizimit të projektit, tha drejtori i Drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore” Koce Trajanovski, gjatë inaugurimit të gur themelit më 26 Gusht 2026.
“Shpronësimi më tepër se 65% është zgjidhur dhe nuk do të jetë pengesë, sikurse në projektet tjera për realizimin e punimeve ndërtimore nga ana e kompanisë. Për një muaj ose më së voni deri 2 muaj plotësisht do të zgjidhet çështja e shpronësimit si njëri nga parakushtet e mëdha të realizimit të projektit. Autostrada Shkup-Bllacë dukshëm do të shkurtojë kohën e udhëtimit, do ta përmirësoj sigurinë në trafik dhe do të ulë shpenzimet”, u shpreh Koce Trajanovski – drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Njëri ndër problemet për shpronësimin e tokave, ishte edhe në segmentin e parë prej 2km, ku me ligjin e ndryshuar një projekt strategjik i shteti nuk mund të ndalet dhe përmes Byrosë për ekspertizë ligjore banorëve të Bllacës ua vlerësuan tokat me nga 5€m², ndonëse fillimisht ju premtuan 50€m². Shumë prej tyre me ankesa në Gjykatën Administrative kanë arritur të marrin nga 15€m² për pyjet që shteti ua morri fshatarëve të Bllacës. Për krahasim, te segmenti i parë prej 2 kilometrash, në vitin 2020 ishin evidentuar 68 prona ose parcela që duhej të shpronësoheshin dhe ai proces tani më është kryer plotësisht thonë autoritet. Segment prej 2 km ka kushtuar hiç më pak se 24 milionë euro.



