Një javë pas zhdukjes të 31 vjeçarit shtetas maqedonas në Posidi të Halkidikit, shpëtimtarët vullnetarë nga Greqia, por edhe me ndihmën e shpëtimtarëve nga Maqedonia e Veriut, për të tetën ditë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e djalit, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Kërkimi zyrtar i Shërbimit Bregdetar të Greqisë përfundoi, gjegjësisht të enjten ishte dita e fundit kur në kërkim morën pjesë edhe autoritetet zyrtare greke, ndërsa dje dhe sot aksioni vazhdoi nga ekipet vullnetare të shpëtimit.
OFKAT, grupi vullnetar i shpëtimit i cili që nga momenti i parë ka qenë në terren, sot kumtuan se përpjekjet e tyre të sotme për gjetjen e Martinit do të zgjerohen më tej dhe në bashkëpunim me kolegët e tyre, ekipet e shpëtimit nga Larisa dhe Volosi, kërkimi do të arrijë edhe në Larisa dhe Plio, që është pjesa bregdetare përballë këmbës së parë të Halkidikit dhe vendi ku u zhduk djali.
Në ekipin OFKAT do të përfshihen edhe vullnetarë të cilët kanë mbërritur nga Shkupi.
Edhe pse praktika e zakonshme e Shërbimit Bregdetar Grek është që kërkimi të zgjasë 72 orë, gjegjësisht tre ditë pas zhdukjes, ky afat u vazhdua deri të enjten pas kërkesës zyrtare nga pala e Maqedonisë së Veriut dhe bisedës telefonike mes shefave të dy diplomacive Bujar Osmanit dhe Nikos Dendiasit.
Njëri nga tre shokët, 25-vjeçari Vasil, u shpëtua të shtunën pasi qëndroi rreth dy orë në ujë, ndërsa të dielën pas rreth 20 orësh në det u gjet edhe 30-vjeçar Ivan.