Shpëtim nuk ka – vetëhelmimi vazhdon!

Nga Kim Mehmeti

Thuajse nuk ka buzëmbrëmje që në brigjet e lumit Treska të mos zbrazet ndonjë kamion apo traktor me mbeturina helmuese.
Pastaj ato mbeturina i kallin dhe gjithë vendbanimet përreth i mbulon tymi, i cili ua merr frymën fëmijëve e të moshuarve që kanë probleme me organet e frymëmarrjes.
Dhe të gjithë e shohin dhe e dinë këtë veprimtari të shtëpiarëve të ‘mirë’ që pisllëqet e shtëpive të tyre i hedhin te ‘oborri’ i shtëpisë tonë të përbashkët që ka pronar Zotin – nëpër lumenj e livadhe!
Por siç duket, këtë nuk e shohin dhe nuk e dinë vetëm drejtuesit e komunës së Sarajit, mbase pse janë të zënë me punë më të rëndësishme, si për shembull me atë si ta zhvatin popullin, e të mos i hetojë njeri!
Pra, shpëtim nuk ka: vetëhelmimi ynë vazhdon! Siç vazhdojmë të shtiremi që nuk e shohim se njerëzorja është duke u kalbur nën plehun e jonjerëzores.
Ndërkohë harrojmë se natyra të lejon ta dhunosh, por kurrë nuk ta fal dhe, prandaj ndodhë që në mes të verës të bie borë, e gjatë dimrit të gjelbërojë kullosa!
Përndryshe ditëve të premte – siç është kjo e sotmja – rrugët e komunës së Sarajit janë të zbrazura. Sepse të rinj e pleq bëhen gati për lutjen e xhuma-namazit!
Por, siç duket, shumë nga ata që i mbushin xhamitë, as që e dinë se Zoti t’i falë të gjitha, por jo edhe mallkimin e njerëzve! (Kim Mehmeti)