Shpërthimi në Gjermani ndodhi nga bombat e Luftës së Dytë Botërore, tre të lënduar

Tre persona janë lënduar nga një shpërthim që u shkaktua nga disa bomba të vjetra që kanë mbetur nga Lufta e Dytë Botërore afër një stacioni të trenit në qytetin gjerman, Munich, tha policia këtë të mërkure.

Njëri prej tyre ka marrë lëndime serioze, tha brigada e zjarrfikësve, njofton Klan Kosova.

Shpërthimi ndodhi gjatë punimeve të ndërtimit pranë stacionit Donnersbergerbruecke.

“Në këtë kohë s’ka prova për veprime kriminale. Sipas të gjeturave fillestare, kemi tre të lënduar, zona e rrezikshme është kryesisht e rrethuar dhe trafiku i trenave është ndaluar në rrugën kryesore”, tha zyrtari policor për shtyp, Peter Werthmann.

Më shumë se 2000 ton bomba dhe municione të gjalla zbulohen çdo vit në Gjermani, më shumë se 70 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.