Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, doli me kritika të forta ndaj arbitrimit pas barazimit spektakolar 2-2 kundër Lazios, një ndeshje ku bardhezinjtë rikuperuan disavantazhin 2-0 falë golave të Weston McKennie dhe Pierre Kalulu.
Ndeshja u shoqërua me polemika, veçanërisht për golin e anuluar të Teun Koopmeiners dhe për një faull të dyshimtë ndaj Juan Cabal, që sipas analistit të DAZN, Luca Marelli, duhej të ishte ndëshkuar me penallti.
Spalletti u ndal te interpretimi i rregullave nga gjyqtarët, duke theksuar se jo çdo kontakt duhet të konsiderohet automatikisht shkelje.
Gjatë intervistës pas ndeshjes, trajneri italian shkaktoi edhe një moment të pazakontë, kur për të ilustruar argumentin e tij mbi dallimin mes kontaktit dhe ndikimit, i dha një puthje në faqe intervistueses.
“Ky është kontakt, por nuk ka ndikim”, u shpreh Spalletti, në një gjest që u bë menjëherë viral dhe ndezi debat në opinionin sportiv.
Ai rikujtoi gjithashtu episodin e diskutueshëm në ndeshjen ndaj Atalantës, ku një penallti për prekje me dorë u akordua pas ndërhyrjes së VAR-it, ndonëse askush në fushë nuk e kishte vënë re momentin.
Sipas tij, këto raste tregojnë se gjyqtarët duhet të kenë më shumë hapësirë për interpretim dhe për vlerësimin e pasojave reale të veprimeve.
Në përfundim, Spalletti propozoi profesionalizimin e plotë të gjyqtarëve, duke theksuar se ata janë të vetmit aktorë në fushë që nuk janë profesionistë me kohë të plotë.
Sipas tij, presioni dhe rëndësia e rolit të tyre kërkon përkushtim të plotë, në mënyrë që vendimet në ndeshje të jenë sa më të drejta dhe të qëndrueshme.






