Shpërthimi i ri i Ebolës në Kongo merr 80 jetë, të paktën 246 raste të dyshuara

Një epidemi e re e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka marrë 80 jetë, ndërsa ka të paktën 246 raste të dyshuara, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë e vendit. Ministri i Shëndetësisë i Kongos, Samuel-Roger Kamba, tha se vendi u godit nga një lloj shumë vdekjeprurës i Ebolës për të cilin nuk ka vaksinë, raporton France24.

“Me këtë lloj virusi, shkalla e vdekshmërisë është shumë e lartë, mund të arrijë në 50 përqind”, theksoi Kamba.

Lexo edhe:
Zelensky: Nëse makina ruse e luftës mbijeton, sulmet e ardhshme mund të jenë kundër Evropës
Sipas tij, lloji i virusit Ebola që shkaktoi epideminë aktuale në Republikën Demokratike të Kongos ka një shkallë shumë të lartë vdekshmërie.

“Nuk ka vaksinë apo trajtim specifik për llojin Bundibugyo”, tha Kamba në një konferencë për shtyp në kryeqytetin kongolez, Kinshasa.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë njoftuan më herët sot se numri i të vdekurve ka arritur në 80, që është një rritje nga 65 të raportuar një ditë më parë.

Ky lloj virusi shkaktoi gjithashtu një viktimë në Ugandën fqinje – një qytetar të RD të Kongos.

Kjo u konfirmua pasi Ministria e Shëndetësisë e Ugandës njoftoi dje se një burrë 59-vjeçar nga Republika Demokratike e Kongos vdiq në Kampala, pasi ishte shtruar më parë në spital.

Trupi i tij u kthye në atdheun e tij po atë ditë.

Testet treguan se pacienti në Ugandë ishte i infektuar me llojin Bundibugio, i cili u identifikua për herë të parë në vitin 2007.

Zyrtarët afrikanë të shëndetësisë konfirmuan dje shpërthimin e fundit në provincën Ituri në verilindje të RD të Kongos, përgjatë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut, tha Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC Africa).

Sipas Kambës, pacienti zero ishte një infermiere e cila u paraqit në një qendër shëndetësore në kryeqytetin provincial të Bunias më 24 prill me simptoma që sugjeronin Ebolën.

Ebola është një sëmundje virale e rëndë dhe shpesh fatale që shkakton temperaturë të lartë, gjakderdhje dhe dështim të organeve.

Virusi transmetohet me kontakt të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të njerëzve ose kafshëve të infektuara dhe u identifikua për herë të parë në vitin 1976 në Afrikën qendrore.

Shpërthimet më të mëdha u regjistruan në Afrikën Perëndimore midis viteve 2014 dhe 2016, kur vdiqën më shumë se 11,000 njerëz.