Shpërthime në Rusi, Ukraina për herë të parë përdor raketat “Flamingo”

Një seri shpërthimesh kanë dridhur qytetin rus Oryol të enjten, pasi Ukraina lansoi raketa lundruese “Flamingo” me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka konfirmuar se janë përdorur për herë të parë raketat ukrainase me rreze të gjatë veprimi, përfshirë sistemin e ri “Flamingo”, raporton “Kyiv Post”.

Sipas pamjeve të postuara në Telegram, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore u përpoqën të kapnin raketat, por videoja tregon fragmente të mëdha që digjen dhe bien në tokë. Mbetjet e raketave ranë mes makinave të parkuara dhe vetëm pak metra larg apartamenteve.

Disa orë pas këtij sulmi, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka konfirmuar se forcat mbrojtëse ukrainase kishin kryer sulme të koordinuara natën në disa dhjetëra objekte ushtarake dhe logjistike ruse në të gjithë Rusinë dhe në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.

Sipas deklaratës, forcat ukrainase goditën disa objektiva në Krimenë e pushtuar, përfshirë terminalin e naftës “Morskoy Neftyanoy”, më pas parkingjet e helikopterëve dhe vendet e magazinimit dhe përgatitjes të dronëve në aeroportin Kirovsk. Po ashtu u tha se u godit një radar i mbrojtjes ajrore pranë Yevpatoriyas.

Në pjesën e pushtuar të Zaporizhzhia Oblast, sulmet ukrainase shënjestruan një depo nafte pranë Berdyanskut dhe postet e një batalioni të Ushtrisë ruse.

Shtabi i Përgjithshëm konfirmoi goditjet e objektivave brenda territorit të Rusisë dhe tha se ende po vlerësohet shkalla e dëmit.

U tha se Ukraina përdori një gamë të gjerë armësh me rreze të gjatë veprimi gjatë operacionit, pëfshirë raketa dhe dronë.

U përdorën “Flamingo”, “Bars” dhe “Liutyi”.

Kanali i Telegramit, “Supernova+” ka thënë se rrënojat e dukshme në video i përkasin raketave “Flamingo” të Ukrainës, një brez i ri armësh precize me rreze të gjatë veprimi, që besohet se është pjesë e aftësive në rritje të Kievit për të goditur infrastrukturën strategjike ushtarake ruse.

Raketa lundruese “Flamingo” u prezantua në gusht të vitit 2025 dhe u tha se ka një rreze veprimi deri 3000 kilometra. Një përfaqësues i kompanisë Fire Point më parë pretendoi se kjo raketë është madje edhe superiore ndaj raketave lundruese amerikane Tomahawk. Raketat aktuale janë të pajisura me koka luftarake që shkatërrojnë bunkerë.