“Shpërthim shkatërrues” në Tennessee të ShBA-së, raportohet për të vdekur e të zhdukur

Disa njerëz raportohet të kenë vdekur e disa të tjerë janë zhdukur pas një shpërthimi në një kompani për prodhimin e lëndëve shpërthyese ushtarake në Tennessee të Shteteve të Bashkuara, raporton televizioni CNN.

“Kemi disa njerëz, mund të konfirmojmë se kemi disa që janë të ndjerë” – tha të premten në një konferencë për gazetarë komandanti i policisë lokale, Chris Davis.

Një zyrtar i Shërbimeve Emergjente në distriktin Hickman tha se ky organ nuk mund ta vërtetonte “shkallën e dëmit ose të lëndimeve”. Ai tha kështu në një telefonatë të zhvilluar më herët.

Disa agjenci shtetërore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për ta vlerësuar dhe frenuar zjarrin, por fillimisht po qëndrojnë pak më larg për shkak të shqetësimit për shpërthime dytësore, thanë Shërbimet Emergjente.