Shpërthen vetura e drejtorit të Qendrës së Klinikave në Kosovë: Lidhet me detyrën time zyrtare

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, ka folur për media pas incidentit të sotëm të shpërthimit të veturës së tij private, duke theksuar se nuk ka asnjë problem në jetën e tij private dhe se e sheh këtë akt të lidhur me punën e tij zyrtare.

“Meqenëse në jetën time private nuk kam pasur asnjë problem, as në të kaluarën e as tani, e konsideroj këtë akt si të lidhur me detyrën time zyrtare, me opinionet e mia dhe vendosmërinë për të vendosur rregull dhe rend në QKUK. Ndoshta kjo punë po i pengon grupe të ndryshme interesi, qofshin ato financiare apo të lidhura me ndonjë zyrtar brenda QKUK-së”, deklaroi Hajdari.

Sot në orët e paradites në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur një incident, ku është dëmtuar vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së.

Prokuroria Themelore e Prishtinës në një deklaratë për portalin rtv21.tv ka thënë se kanë iniciuar rast për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës së mjetit të rrezikshëm”.

“Prokurori shtetit ka inicuar rastin për veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe ”Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Prokurori i shtetit dhe Njësitet përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kanë thënë se dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, ndërkaq automjeti ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të administratës në momentin e ngjarjes.

Ndërkaq zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar përveç dëmeve materiale. /21Media

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me shpërthimin në veturën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të QKUK’së, Osman Hajdari, në parkingun e QKUK’së.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar përveç dëmeve materiale.

“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti. /21Media

Mëngjesin e së mërkurës ka shpërthyer vetura e ushtruesit të drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari.

Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka bërë të ditur se arsyet e shpërthimit ende nuk dihen.

“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.

Nga ShSKUK-ja është thënë se dëmtimi ka ndodhur në rrethana të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së.

Lidhur me këtë incident janë njoftuar edhe organet kompetente, nga të cilat tashmë kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

“ShSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”.