Shpërthen gjykatesi ish-Kushtetueses Kadri Kryeziu: Kazani kërkon rishkrim të Kushtetutës për të nënshtruar shumicën

 

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër pas debatit mbi vendimin e fundit të Kushtetueses lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Në një postim të gjatë në Facebook, ai thotë se po tentohet të manipulohet opinioni publik me interpretime absurde, duke pretenduar se shumica parlamentare është e detyruar të votojë kandidatin e Listës Serbe.

Kryeziu e quan këtë qasje “mungesë atdhedashurie” dhe “padituri juridike”, duke theksuar se kushti prej 61 votash është substancial dhe nuk mund të anashkalohet me vendim gjykate.

Postimi i plotë:

Kur kazani hidhet në aksion

Kazanistët po na thonë: vendimi i Gjykatës “e rregullon situatën” vetëm kur serbët e nominojnë një kandidat, por shumica shqiptare nuk e voton. Pra, sipas tyre, shumica patjetër duhet ta votojë kandidatin e Listës Serbe.

Ky është absurditet.

Kjo është mungesë atdhedashurie (sepse Zot e kanë donatorin) dhe mungesë e theksuar njohurish juridike.

🔹 Kushti i 61 votave nuk është dekorativ – është substancial. Gjykata mund të rregullojë procedurën, mund të përcaktojë kujt i takon nominimi. Por askush, asnjë gjykatë në botë, nuk mund t’i detyrojë deputetët si të votojnë.

🔹 Kujtoni rastin e Albulena Haxhiut: edhe ajo ishte kandidate për Kryetare të Kuvendit. Por nuk mori 61 vota dhe u tërhoq. Mutatis mutandis – e njëjta logjikë vlen edhe për nënkryetarët. Vullnet politik duhet. Pikë.

Çfarë po kërkojnë “mercenarët” e Kazanit është në fakt rishkrim i Kushtetutës: që votimi për nënkryetarët të bëhet formalitet, pa shumicë absolute, pra pa sovranitet të shumicës.

E vërteta është kjo: kushti prej 61 votash nuk kalohet me urdhra gjykate, por vetëm me vullnet politik.

Dhe nëse Lista Serbe do që kandidati i saj të marrë vota, rruga është shumë e thjeshtë:

👉 të tregojë respekt minimal për Republikën e Kosovës;

👉 të distancohet nga Banjska dhe Radojçiqi;

👉 të dëshmojë se nuk është krahu politik i një organizate terroriste.

Deri atëherë, çdo pretendim tjetër është vetëm lojë fjalësh për të nënshtruar shumicën.

Ironia e fundit:

Nëse Gjykata ka nisur të japë vendime që rregullojnë vullnetin politik të shumicës, pse të mos japë edhe një vendim tjetër – ku e urdhëron Listën Serbe të distancohet nga Radoiçiqi dhe organizata e tij terroriste?