Shpallja e aleancës SHBA-Kosovë kundër Rusisë! / Parandalohet çdo invadim serb në veri!

Një sintagmë e shkëlqyeshme, më saktë dy sintagma që krijojnë dy boshte të veprimit historik dhe politik të shqiptarëve, të periudhës rugoviane.

Këto tashmë thuhen dhe përsëriten në një shkrim autorial të ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier, i cili shpreh aleancën Amerikë-Kosovë, në konfliktin që po pritet Perëndim-Rusi.

Tradita nga Rugova

Nuk po e diskutojmë anën gjenerike të këtyre sintagmave, se kush janë autorët apo politikanët që i ngritën në koncepte fundamentale të politkbërjes, por thjesht po e rikujtojmë se pikërisht mbi këto është mbështetur politika e Rugovës, qofshin si konceptime burimore nga politika e Kosovës apo nga vetë Rugova, apo të ofruara nga ekspert të diplomacisë perëndimore, amerikane.

“Diplomacia përpara luftës”, ishte pikërisht ky parim që e bëri çështjen e Kosovës të njohur, dhe argumentoi bindshëm para botës, se regjimi i Millosheviçit, ishte fajtor për të gjithë gjendjen në Kosovë, edhe në rast të fillimit të luftës.

E vërteta përpara gënjeshtrave, ishte strategjia tjetër politike, ku në “Shtetin paralel” të shqiptarëve nuk lejohej as diplomacia të gënjente, dhe nuk lejoheshin as informatat e rrejshme, sepse duhej fituar besimin e Perëndimit.

Po ashtu, për çdo gënjeshtër serbe, shqiptarët duhet të ofronin të gjitha provat e mundshme, për ta nxjerrë lakuriq diplomacinë dhe propagandën serbe. Kështu ndodhi në vazhdimësi. Diplomacia e Kosovës fliste vetëm me fakte, për dhunën e kryer çdo ditë nga regjimi i Millosheviçit, rrahjet, burgosjet, vrasjet… për dëbimin e nxënësve nga shkollat dhe Universiteti, për dëbimin e shqiptarëve nga spitalet dhe nga çdo institucion dhe veprimtari publike.

Brenda sistemit apo në institucione të caktuara kishin mbetur vetëm një numër i vogël njerëzish, disa me leje të “Shtetit paralel”, dhe të shumtët e asaj pakice që kish mbetur, kualifikoheshin si “shqiptarë të ndershëm”, në fakt kështu i lavdëronte Serbia, si njerëz që po i qëndronin besnik Beogradit.

Po ashtu në vend të gënjeshtrave serbe për historiografinë e Kosovës, të Dardanisë dhe të gadishullit ilirik diplomacia e Rugovës ofronte vetëm të dhëna të besueshme historike, si për ekzistencën e shtetit shqiptar para më shumë se tre mijë vjetëve, si për gjuhën, traditën, doket, zakonet, veshjen, kulturën orale, të ruajtuara me shumë sukses, dhe më mirë se te të gjithë të tjerët, ndërsa për serbët dhe sllavët dihet se janë ngulimet e fundit në Ballkan, prej atyre lëvizjeve masive të popujve endacak.

Përballë kërcënimit rus

E bëmë këtë parashtrim për të diskutuar aleancën shqiptaro-amerikane, të shpallur nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, përballë kërcënimit të Rusisë në Ukrainë dhe përtej saj.

“Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike kudo. Amerikanët dhe kosovarët duhet të qëndrojnë së bashku me Ukrainën për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit.”

Pra, diplomacia amerikane kërkon që ne të jemi përkrah Amerikës dhe vendeve perëndimore, në mbështetje të Ukrainës kundër Rusisë.

Ai më tej flet në emër të Kosovës, të asaj që ne e quajtëm aleancë të shpallur amerikano-shqiptare kundër Rusisë, dhe në një aleancë të gjerë me perëndimin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova janë të përkushtuara për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për tu mbrojtur nga agresioni i mëtejmë rus”.

Kjo aleancë e shpallur, flet për nevojën diplomatike amerikane që të sigurohet se në një konflikt, që nëse ndodhë përveç se do të jetë shumë serioz, mund të jetë edhe shumë i gjatë, pasi mënyra e luftës dhe mjetet e luftës, krijojnë situata dramatike të paparashikueshme, dhe që fitoret mund të jenë, të shpeshta dhe të shumta në të dyja kampet.

E mira, e së mirës është që të mund të parandalohet lufta, dhe në rast lufte, që të mos përdoren armët bërthamore, as në mënyrë të kufizuar.

Dikur kur Rugova e shpallte aleancën e Kosovës me SHBA-të tingëllonte si paradoksale, por sot këtë e bëri vet Amerika, nëpërmjet ambasadorit të saj Hovenier.

Tri përparësitë e shqiptarëve

Por, shqiptarët do të duhej ta përdorin tashmë këtë aleancë të shpallur, me këmbëngulje, që të faktorizohen.

1. Në Shqipëri, në të vetmin vend në Ballkan, SHBA-të kanë vendosur Shtabin e forcave speciale, të cilat po shihen si një besnikëri aleance dhe që i jep rol të ri forcave ushtarake të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

Ky Shtab është i gatshëm të udhëheqë çdo ndërhyrje kudo në Ballkan apo më tej, operacionet speciale të ndërhyrjes së shpejtë, qoftë edhe në prag të ndonjë konflikti apo për ta parandaluar atë. Pra, edhe në veri të Kosovës, në rast të një përpjekje për inkursion me luftë speciale të Serbisë.

2. Ambasadori amerikan në një shkrim të tij të hënën e shpalli aleancën Kosovë-Amerikë në gatishmërinë e boshtit perëndimor në mbrojtje të Ukrainës kundër Rusisë dhe aleancës së saj ende minore.

3. Kosova e ka bazën më të madhe ushtarake amerikane në Europë, në Bondsteel, ndërsa po bëhet gati edhe një bazë e re.

Pra, këto janë tri rrethanat që Presidenca dhe Qeveria e Kosovës duhet të dijnë t’i shfrytëzojnë si potenciale, që të largohen nga tavolina të gjitha çështjet që mund ta dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

Kjo mund dhe duhet të bëhet duke shfrytëzuar dy aksiomat e ritheksuara nga ambasadori Hovenier: Diplomacinë përpara luftës dhe të vërtetën përpara gënjeshtrave!

Diplomacinë përballë gjenocidit serb, historisë dy shekullore kriminale, përfshirë gjenocidin e fundit, 1998-1999, dhe të vërtetat për fatin e Dardanisë dhe të shqiptarëve, përballë gënjeshtrave dhe intrigave serbe.

Serbia, siç ka dëshmuar edhe në të kaluarën, edhe në periudhën postmillosheviçiane, është e gatshme të mashtrojë dhe zhgënjejë perëndimin duke u futur në aleancë me Rusinë, por edhe me Kinën!

Perëndimi ka gjetur aleatët e vërtetë dhe të sinqertë në Ballkan! Pse të mos e shfrytëzojmë ne këtë aleancë!?