Shpallet gjendje krize në Komunën e Gostivarit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e sotme të 195-të, me propozim të Komitetit Drejtues, ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Vendimi është marrë pasi u vlerësua se pushteti lokal nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar. Qëllimi i masës është koordinimi më i shpejtë i institucioneve shtetërore, rikthimi sa më i shpejtë në funksion i sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët.
Qeveria thekson se shëndeti i banorëve të Gostivarit mbetet prioritet dhe se institucionet do të angazhohen për zgjidhjen e plotë të problemit.
Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë një hetim të detajuar për rastin dhe të përcaktojë përgjegjësinë për të gjithë ata që kanë rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.
Në të njëjtën mbledhje, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Qeveria emëroi Zlatko Perinskin ushtrues detyre të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Perinski është magjistër në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe më parë ka ushtruar funksionet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, drejtorit të përgjithshëm të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, si dhe menaxher i Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”.