Në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i iniciuar pasi më 14 dhjetor u dyshua një avokat për veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, po ndërmerren vazhdimisht veprime intensive hetimore që kanë rezultuar me zgjerimin e procedurës edhe ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Apelit në Shkup.
Gjyqtari dyshohet për veprën penale “Përfitim dhe fshehje e paligjshme e pasurisë”, për të cilën ekzistojnë dyshime se është siguruar, ndër të tjera, përmes akteve të korrupsionit dhe tregtisë me ndikim.
Me urdhër të siguruar nga prokurori publik dhe i miratuar nga gjykata kompetente, sot është kryer një kontroll i detajuar në një lokacion në Negotinë, në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit tashmë të dyshuar, ku të fshehura në mur, në një hapësirë të ndërtuar posaçërisht, janë gjetur 350.000 euro, për të cilat ekzistojnë dyshime serioze se janë të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe të fshehura.
Kontrollet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa publiku do të informohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.
Bëhet fjalë për një nga hetimet më të gjera deri më tani për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë në vend, e cila mbështetet me informacione dhe raporte nga Agjencia për Siguri Kombëtare.
Veprimet e koordinuara nga prokurori publik po realizohen nga pjesëtarë të Departamentit për Luftë Kundër Krimit të Organizuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policia Financiare, përkushtimi dhe integriteti profesional i të cilëve ka kontribuar në zbulimin e suksesshëm dhe sigurimin e provave për një nga format më serioze dhe më komplekse të kriminalitetit.
Lajme SHOKUESE: Janë gjetur 350.000 euro të fshehura në mur në shtëpinë e...



