Shkurte Fejza e Violetë Kukaj – “Bilbilat” që kujtojnë periudhat e errëta kur i kënduan lirisë

Atdheut, lirisë, çlirimit e pavarësisë së Kosovës, i kënduan që prej shumë dekadash. Por, për dallim prej ushtarëve që luftuan me armë, artistët shqiptarë përdorën zërin dhe fuqinë e teksteve të tyre si goditje kundër okupimit serb.

Përkushtimi i tyre vijon të mbetet me po të njëjtin tempo edhe sot kur Kosova numëron plot 15 vjet që kur është shpallur shtet i pavarur dhe sovran.

Lista e këngëtarëve që me muzikën dhe artin e tyre kontribuuan në pavarësimin e Kosovës patjetër që është e gjatë, e brenda saj nuk mungojnë as dy ikonat shqiptare, Shkurte Fejza dhe Violetë Kukaj.

“Mora fjalë”, “Pavarësia”, “Pyet Kosova” dhe “E kam emrin kosovar”, janë vetëm disa prej këngëve të Shkurte Fejzës kushtuar shtetit.

Fejza mbetet ndër artistet më të popullarizuara në vend, ndërsa rastin për t’i interpretuar këngët e saj me tema lirike e kishte si para ashtu edhe pas luftës, ndërkaq kontrasti në mes të këtyre dy periudhave duket të mbetet i theksuar.

Shkurte Fejza – Këngëtare e muzikës së mirëfillte shqiptare.

“Dallimi është i madh sepse rrethanat tani janë krejt tjera. Atëherë është kënduar me më shumë emocion sepse publiku ishte i angazhuar dhe sidomos mërgimtarët ishin të përmalluar, ngase shumë prej tyre nuk kishin mundësi të vinin në Kosovë. Këndimi përcillej edhe me lot, këngë e lot së bashku”, thotë Fejza për KlanKosova.tv.

“Tani këndohet më gëzueshëm dhe me disponim më të madh. Secila kohë ka mbresat dhe specifikat e veta, tani kanë depërtuar edhe zhanret e reja që plotësojnë mozaikun e muzikës tonë. Por, këngët e mia vazhdojnë të pëlqehen edhe tutje, sidomos nga gjeneratat e reja”, shton ajo.

Edhe këngëtarja, Violetë Kukaj posedon një repertuar të mbushur me këngë patriotike. “Ai është gjallë”, “Ndalu vëlla ta puthi pushkën”, “Drenica ime” e “Pavarësinë e gëzoftë Kosova”, janë disa prej prurjeve artistike të saj kushtuar mëmëdheut.

Kukaj, e cila aso kohe ishte edhe pjesëtare e Trupës Artistike “Hamëz Jashari” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e ka përshkruar në detaje këngën e saj “Ai është gjallë”, që ishte një dedikim për komandant Adem Jasharin.

Violetë Kukaj – Këngëtare e muzikës së mirëfillte shqiptare.

“Kënga e Adem Jasharit është e para që i është dedikuar direkt atij dhe është kënduar në përvjetorin e parë të rënies së tij, në Prekaz dhe në kohën e luftës, në atë kohë unë isha pjesë e Trupës Artistike ‘Hamëz Jashari’ në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thotë Kukaj.

“Kemi pasur me problem edhe me tekstin sepse më dukej sikur nuk po gjenim fjalët e duhura për ta përshkruar veprën dhe punën kolosale të legjendës Adem Jashari. Këtë këngë e këndoj në të gjitha paraqitjet e mia sepse kërkohet nga publiku. Po ashtu, familja Jashari pos që e kanë dashur si këngë, ata e kanë pranuar dhe cilësuar si një ndër këngët më të mira të bëra për legjendën e ndjerë”, ka shtuar ajo.

Si Shkurte Fejza, ashtu edhe Violetë Kukaj me këngët e tyre patriotike kanë motivuar dhe frymëzuar edhe ushtarët e UÇK-së, ndërsa të njëjtin emocion e ri zgjojnë edhe sot tek gjeneratat e reja, kurdo që ato interpretojnë hitet e tyre të pavdekshme.

Adem Jashari – Kryekomandant dhe themelues kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këngët e mia gjithmonë kanë përcjell porosi dhe ato janë pranuar shumë mirë. Kjo të jepë kënaqësi të veçantë, kur publiku këndon bashkë me artistin është kulmi”, thotë Fejza.

“Mos të flasim kur ushtarët e UÇK-së i këndonin këngët e mia në vijat e frontit. E lumtur që publiku im është pjesa më e ndërgjegjshme e kombit tim. Jam munduar të jap kontributin tim me këngë para, gjatë dhe pas luftës, dukë përjetësuar veprat e tyre në rrafshin artistik”, shton ajo.

Për Violetë Kukajn, periudha e luftës në Kosovë ka shumë domethënie për të. Ajo jo vetëm që i këndoi hitet e saj kushtuar lirisë, por e përjetoi si të tillë edhe nga afër – vëllai i saj, Sadik Kukaj ishte komandant në UÇK, i njohur me nofkën – Komandant Togu.

“’Ndalu vëlla ta puthi pushkën’, ka qenë një këngë që ia kam dedikuar të gjithë vëllezërve që u bënë pjesë e luftës, ndërkaq inspirimi i vërtetë më erdhi nga familja ime, pasi që vëllai im ishte komandant i asaj kohe dhe ia kam dedikuar vëllait tim, kur e kam parë për herë të parë dhe e kam përshëndetur e ia kam puthur pushkën”, thotë Kukaj.

Edhe këngët e Kukajt u përqafuan nga gjeneratat e ndryshme, ndërsa vetë artistja thotë të “ndihet me fat” që kishte mundësinë ta shijonte jehonën e këngëve të saj gjithandej vendit, sidomos të atyre me motive patriotike.

“Kur i këndoj patriotizmit kam një ndjenjë të papërshkrueshme, marr një fuqi tjetër, kam një emocion e krenari tjetër, gjithçka më ndryshon edhe vetë energjia. Por, edhe veshjet kur i kam me motive kombëtare, ndihem më e fortë, më krenare dhe kam pse ta them këtë”, thotë Kukaj.

“’Drenica Ime’ dhe ‘Ndalu vëlla ta puthi pushkën’ janë dy këngë që ushtrohen dhe këndohen edhe sot nga gjeneratat e reja si dhe fëmijët. Edhe kjo këngë është kënduar gjatë luftës dhe në atë tekst shumë fjalë janë nga skenat që unë vetë i kam parë në luftë. Kur flas tani për atë periudhë kam një nostalgji dhe i jam falënderuese Zotit, fuqisë time dhe publikut që i ka pranuar. Të gjithë këngëtarët me këngët tona i kemi motivuar jo vetëm ushtarët, por edhe popullin. Por, në rastin tim, që kam qenë edhe vetë e pranishme atje dhe kam parë raste e situata të ndryshme, është thjesht ndjenjë tjetër”, shton ajo.

Por, cila është kënga e preferuar e Shkurte Fejzës – “Mora fjalë” apo “Pavarësia”?

“Të dyja bashkë, ashtu siç janë të lidhur këta dy emra mes vete. Adem Jashari na pasqyron vetë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe lufta e tij i kalon kufijtë historik dhe krahasohet me heronjtë mitik të lashtësisë antike dhe ai e ka fituar përjetësinë historike”, thotë Fejza.

“Pastaj, Pavarësia e Kosovës është po ashtu kulmi i fitores së popullit shqiptar dhe është e përjetshme”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, për Violetë Kukajn, edhe tri vitet e tjera pas përfundimit të luftës kanë qenë një sfidë në vete, angazhime e koncerte të shumta brenda vetëm një dite – e gjitha vetëm brenda territorit të Kosovës.

“Një gjë interesante është fakti se edhe tre vjet pas luftës, kam vazhduar të jem pjesëtare e Trupës Ushtarake, e cila pastaj u shndërrua në TMK dhe mund të them lirisht që në atë periudhë nuk kam mbajtur asnjë koncert jashtë vendit, në gjithë këto kohë kam shkuar vetëm në përvjetorë, dhe kishte raste kur performoja dy herë në ditë dhe bëja të pamundurën të isha pjesë e asaj familje dhe ta ndaja dhimbjen bashkë me ta. Kam qenë e dedikuar vetëm për përvjetorët për secilin dëshmor që ka rënë në luftë”, thotë Kukaj.

Të dy artistet që e kanë fituar epitetin e “Bilbilave të Kosovës” kanë uruar popullin shqiptar në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa kanë shtuar se “historia nuk duhet të harruar asnjëherë dhe krenaria e nderi i luftës së vitit 1999 duhet të jetë pjesë e zemrave të popullit përgjithmonë”.

Në masivizimin e vajzave dhe djemve që iu bashkuan UÇK-së në çlirimin e Kosovës së pushtuar, pos Shkurte Fejzës e Violetë Kukajt, kontirbuan edhe artistët e tjerë profesionistë, nga këndej e andej kufirit shqiptar, disa prej të cilëve janë: Arif Vlladi, Manjola Nallbani, Ledina Çelo, Ilir Shaqiri, Leonora Jakupi dhe këngëtarja revolucionare, Adelina Ismaili.