Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova-Çamova, me një “ton jashtëzakonisht pozitiv ndaj Shkupit”, siç shprehet ajo në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), ka dërguar një porosi deri te Maqedonia e Veriut që t’i përmbushë detyrimet nga i ashtuquajturi “Propozimi francez” – në hartimin e të cilit ka marrë pjesë edhe ajo vetë – në vend që “të kërkojë konflikt me Sofjen”.
“Toni im ndaj Shkupit është jashtëzakonisht pozitiv, sepse në Bullgari kjo është një nga temat për të cilat kemi një shumicë absolute politike. Unë do të angazhohem për detyrimet që duhet të përmbushen nga ana e Shkupit dhe për mua ato janë detyrime në nivel të Bashkimit Evropian. Nuk bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe, por për marrëdhënie midis një vendi kandidat dhe Bashkimit Evropian. Mendoj se nuk duhet të kërkojmë negativitet dhe hapësirë për konflikt, dhe shpresoj që nga ana tjetër do të gjejnë pjekuri politike për të vepruar në këtë mënyrë. Shpesh nuk e shoh këtë pjekuri, por mbetem optimiste se do të gjendet vullnet politik nga ana tjetër që kjo të ndodhë. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar dhe është ai i vitit 2022. Unë isha një nga njerëzit që negociuan për atë pozicion, kështu që e njoh shumë mirë. Mendoj se kemi unitet të plotë si në Qeveri, ashtu edhe në mbarë klasën politike në Bullgari për këtë çështje. Shpresoj vërtet që Shkupi të gjejë një mënyrë për të vepruar në atë formë që do ta përqendrojë vëmendjen te përmbushja e detyrimeve, dhe jo te kërkimi i konfliktit me Sofjen”, deklaroi shefja e diplomacisë bullgare.
“Ky është një qëndrim evropian dhe ky ishte arritja kryesore në qershor-korrik të vitit 2022. Është e trishtueshme që kthehem në Qeveri katër vjet më vonë, dhe nuk ka asnjë progres për këtë çështje”, shtoi Petrova-Çamova.
Ajo ka shërbyer si zëvendësministre e Punëve të Jashtme nga viti 2022 deri në vitin 2023 në Qeverinë e ish-kryeministrit Kirill Petkov, së cilës iu votua mosbesimi në Asamblenë Kombëtare pikërisht për shkak të çështjes së Maqedonisë. (INA)



