Shkupi, Prishtina, dhe Tirana nuk kanë numër zyrtarë të fëmijëve autik

Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Autizmit. Maqedonia e Veriut nuk ka një numër të saktë të personave me autizëm, pasi nuk ka regjistër që e tregon këtë, mirëpo mendohet të jetë një numër prej 15-20 000 personash. Kështu thotë profesoresha nga Fakulteti Filozofik i “Shën Kirilit dhe Metodit” , Natasha Stanojkovska-Trajkovska. Sa i përket situatës me koronavirusin dhe zhvillimin e orëve online me personat me autizëm, ajo thotë se fëmijët me spektër më të rëndë të autizmit e pranojnë më rëndë këtë lloj të zhvillimit të mësimit, por edhe mësimi online i sistemit tonë arsimor, nuk është i përshtatshëm për fëmijët me autizëm.

Natasha Stanojkovska-Trajkovska, profesoresh nga Maqedonia

“E gjitha varet nga lloji dhe shkalla e aftësië së kufizuar. Më rëndë i pranojnë fëmijët me aftësi më të rënda intelektuale, megjithatë për fëmijët e tjerë me shikim të dëmtuar, me dëgjim të dëmtuar, me ndonjë inteligjencë më të lartë tek fëmijët me spektër të autizmit janë të mirëseardhura… Ja edhe mësimi online i këtyre fëmijëve që janë në sistemin arsimor të rregullt, duhet të jetë i modifikuar, i rregulluar pikërisht për mundësitë dhe aftësitë e tyre. Mirëpo kjo mënyrë e arsimit nuk e lejon këtë. Janë të njejta prezantimet, të njejta janë ligjeratat për të gjithë fëmijët, kështu që fëmijët nuk gjenden mirë”.

Kurse Ilir Havolli, psikolog klinik nga Kosova tregon se edhe atje nuk kanë numër zyrtar të fëmijëve me autizëm, por mendohet të jetë një numër prej rreth 500 personash. Si psikolog në Shoqatën e psikologëve të Kosovës, për Tv Shenja ai u shpreh se Kosova nuk merr hapa të mëdha për këto fëmijë. Ndërkaq, shton se rritja çdo ditë e më shumë e numrit të personave me autizëm, është shqetësuese.

Ilir Havolli, psikolog klinik nga Kosova

“Deri më tani, në qoftë se marrim statistikat botërore fëmijët me autizëm apo numri i fëmijëve me autizëm është duke u rritur në përmasa që mundem të them, shqetësuese. Por deri më tani në Kosovë nuk ka një numër të definuar ose nuk ka ndonjë numër zyrtar për persont me autizëm…Kjo është ajo pjesa ku jam më shumë kritik, pasi deri më sot shteti i Kosovës ka ndërmarrë diçka të mjaftueshme, sepse hapa të vegjëll gjithmon merren. Mirëpo është puna se për këta fëmijë nuk ka marrë një hap të madh”.

Edhe Igresa Duka, trajnuese në Shoqatën e Psikologëve nga Shqipëria thotë se shteti shqiptar nuk ka numër konkret, pasi veç tjerash TV Shenjës i tregoi se prindërit janë ata që në të shumtën e rasteve nuk i tregojnë fëmijët që kanë autizëm. Sa i takon të trajtimit të tyre nga ana e shtetit, Duka deklaroi se ndihma nga ana e tyre është e pamjaftueshme.

Igresa Duka, trajnuese në Shoqatën e Psikologëve nga Shqipëria

“Për fat të keq ne nuk kemi një numër konkret. Statistikat zyrtare nuk janë asnjëherë të sakta pasi ne akoma përballemi me problemin e mosndërgjegjësimit. Janë prindërit ata të cilët akoma nuk janë të ndërgjegjësuar dhe nuk e pranojnë problemin që mund të ketë fëmija i tyre, kështu që duke mos qenë të gatshëm ata për të bërë një vlerësim dhe për të vendosur diagnoza, numri asnjëherë nuk është i saktë…Nevojat e fëmijëve me autizëm janë të shumta, shpenzimet e tyre dhe shpenzimet që fëmijët duhet të bëjnë çdo muaj janë të larta dhe ajo që marrin nga shteti nuk është i mjaftueshëm”.

Autizmi është çrregullim i gjithanshëm i zhvillimit i cili dëmton aftësitë sociale dhe komunikative tek fëmija si dhe aftësitë motore dhe gjuhësore. Autizmi është identifikuar në vitin 1943, ndërsa në vitin 2007, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara deklaroi 2 Prillin si Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin.