“Shkupi mos të mbetet pa ujë, siç mbeti pa transport publik”

U.d. drejtori i Ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” ndaj 30 të punësuarve po sillet si despot duke i shkelur të drejtat e punëtorëve. Kështu deklaroi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, duke akuzuar se drejtori në mënyrë jashtëligjore ka caktuar detyra pune dhe disa punëtorë i ka transferuar në vende të tjera të punës. Siç thotë ai, këtë situatë e kanë paraqitur në Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Administrativ, prej ku morën përgjigje se drejtori po vepron në mënyrë joligjore dhe i shkel të drejtat e punëtorëve. Dimovski, shton se janë takuar me drejtorin, por ai nuk i ka marrë parasysh ankesat e tyre. TV21 pyeti drejtorin e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, por deri në këtë edicion lajmesh nuk morëm përgjigje.

“Caktohen detyra të ndryshme në mënyrë të paligjshme, si magazinier, jo si drejtor, dhe punëtorët tanë janë të detyruar të kryejnë detyra shtesë në një vend pune që nuk është paraparë në kontratën e punës. Nuk mund të dërgojmë hidro-inxhinierë në kabinat e rojeve dhe stacionet e pompimit. Nuk mundet që punëtorët për automjete speciale të ulen në bazë dhe të mos bëjnë asgjë, sepse nuk i pëlqejnë ushtruesit detyre Marjan Mitovski”, tha Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.