Shkupi kujton Çamërinë me 1 javë aktivitete (Video)

Nga 21-27 qershor në Shkup shënohet “Java Çame”, shkruan gazeta LAJM. Aktivitetet kanë filluar dje me zbukurimin e Çarshisë me flamuj dhe pano me simbolin “I love Çamëria”, ndërsa sot para Kalasë së Shkupit sot është hapur një ekspozitë me fotografi nga personalitetet çame.

“Kjo nuk është hera e parë që Shkupi e përkujton Çamërinë, por kjo është hera kjo është hera e parë që këtij kujtimi i kushtohet një javë e tërë. Pas dekorimit që ia kemi bërë qytetit tonë për javën çame, sot jemi mbledhur këtu që përmes një ekspozite dokumentare dhe përmes një programi artistik të shënojmë javën çame. Fotot për Çamërimë me figurat çame dhe personalitetet tjera shqiptare të territoreve që janë nën territorin grek nuk kanë fund, njësoj siç nuk kanë fund as këngët dhe vallet çame, siç nuk shterren kurrë as lotët për Çamërinë tonë”, tha mes tjerash njëra nga organizatoret e aktivitetit të sotëm.

Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 77-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë në Shqipëri është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.