Shkupi i Hasan Prishtinës dhe “Zvicra e Ballkanit”

Shkruan: Skender ASANI

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Gjeopolitika ruse e shek. 19 është bazuar në shtrirjen e ndikimit në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane nëpërmjet tre projekteve të mëdha: Greqia e Madhe (Megaloidea), Bullgaria eMadhe (Shën Stefani) dhe Serbia e Madhe (Naçërtanija). Kjo gjeopolitikë asnjëherë nuk i shuajti aspiratat e saja, ndonëse intensiteti i saj  pësoi ngritje dhe rënie, varësisht nga rrethanat historike nëpër të cilat kalonin pjesët e caktuara të Europës.

Nëpërmjet këtyre projekteve, Rusia, në njërën anë, synonte të eliminonte dy perandori, Prerandorinë Otomane dhe atë Austro-Hungareze, dhe në anën tjetër, popujve të vegjël (shqiptarëve, maqedonasve etj.) synonte t’ua reduktonte hapësirën etnike-territoriale…

Edhe pse asnjëherë nuk u arrit të vendoset një bashkëpunim i mirëfillt kulturor e politik i rilindasve shqiptarë dhe maqedonas, ata megjithatë me idetë  e tyre iluministe propagonin një Ballkan të lirë ku gjithë popujt do të gëzonin të drejtat e barabarta, pa patur nevojë që të cënojnë lirinë  e tjetrit. Prandaj jo rastësisht në kohën e Rilindjes së popujve ballkanik kishte lindur edhe ideja e projektuar në formulën “Maqedonia-Zvicra eBallkanit”, e cila do neutralizonte  projektet shkatrrimtare ruse.

Ideatorët e kësaj formule iluministe kishin pikëpamje shumë demokratike, për arsye se lirinë e popujve të tyre nuk e bazonin mbi robërinë e popujve të tjerë dhe kishin orentim perendimor.

Fatkeqësësht idetë e tilla iluministe nuk gjetën terren të përshtatshëm zbatimi, për shkak të Krizës Lindore, si pasojë e luftës ruso-turke,  ku Rusia gjunjëzoi Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojë e detyroi të nënshkruaj Marrëveshjen e Shën Stefanit. Për të parandaluar rrezikun e mëtejm, Evropa organizoi Kongresin e Berlinit (1878) në mbrojtje të kufijve të jashtëm të Perandorisë Osmane.

Por, aspiratat ruse për të dominuar në Ballkan nuk rreshtën dhe ato kulmuan me luftërat ballkanike, ku Serbia dhe Greqia sërish u zgjeruan në dëm të territoreve të poujve të tjerë. Ky hegjemonizëm serb dhe grek u vulos  në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913 ,kurse në Konferencën e Versajes (1919) u konfirmua shuarja e dy perandorive: Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze dhe mbi gërmadhat e saj u ngrit projekti rus mbi Ballkanin.

Rilindja Kombëtare Shqiptare kontribuoi në ndërgjegjësimin politik e kulturor të shqiptarëve, por edhe në krijimin e platformave ideologjike për zbrapsjen e projekteve shoveniste ballkanike të sponzorizuara nga Rusia. Në kuadër të këtij ndërgjegjësimi ideologët dhe patriotët shqiptarë, të koordinuar nga Hasan Prishtina, punuan në parandalimin e ekspansionit të Aleancës Ballkanike, duke marshuar drejt Shkupit më 12 gush 1912, të cilin e çliruan dhe vendosën rend dhe qetësi disaditëshe. Me këtë, kryengritësit shqiptarë syninin t’i bënin   presion Portës së Lartë që të pranojë kërkesën për Autonomi, në mënyrë që të mos i jepej shkas Alenacës Ballkanike për luftë të përgjithshme.

Ngjarjet pastaj rrodhën sipas dinamikës së njohur dhe shqiptarët sërish ngelën të fragmentuar në pikëpamje të organizimit shtetëror, deri në vitin 1999 kur rrethanat u ndryshuan në favor të krijimit të parakushteve për një Kosovë të lirë, e cila do të shpallet shtet i pavarur  më 17 shkurt 2008.

Zhvillimet në Ballkan kanë ndjekur dy linja veprimi, sa i përket preferencave gjeopolitke. Njëra linjë ka mbështetur fuqishëm frymën evropiane në politikat shtetndërtuese, kurse linja tjetër ka qenë pre e ndikimit rus. Si pasojë e këtij ndikimi edhe hapësira e ish Jugosllavisë kaloi nëpër turbulenca të shumta që u shpërfaqën në formë të konflikkteve e trazirave të ndryshme. Këto turbulenca u manifestuan menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit (1989), që rezultoi me shpërbërjene Bashkimit Sovjetik. Për ta kompensuar humbjen që pësoi nga kjo shpërbërje, Rusia frymëzoi forcat nacionaliste në ish Jugosllavi, sidomos në Serbi, që të rikthejë në skenë aspiratat hegjemoniste, duke vënë në lëvizje ish APJ-në, e cila u vu në shërbim të plotë të politikave ekspansioniste të Beogradit, gjoja në mbrojtje të tërësisë së plotë territoriale tël ish-Federatës Jugosllave. Fillimi viteve nëntëdhjetë, përpos krijimit të shteteve të reja, ishte i mbushur plot  me skena lufte e gjenocidi, kurse trajtat më të tmerrshme të këtyre skenave u shfaqën në Bosnjë dhe në Kosovë.

Të gjitha këto zhvillime nuk mbetën pa u reflektuar edhe në Maqedoni, para dhe pas pavarësimit të saj, ndonëse këtu nuk pati zhvillime dramatike si në ish-republikat tjera jugosllave. Sikundër dihet, pas pavarësimit të Maqedonisë, lidershipi i saj ende kishte dilema nga duhej të shkonte shteti i ri, andaj inicuan referndumin, i cili linte të hapur mundësinë e ribashkimit me ish-Federatën Jugosllave (me Serbinë). Në fakt ky ishte një kurth i politikës ruse për ta nda Maqedoninë, ndërkohë që kjo e fundit kaloi nëpër një proces të ri kushtëzimesh nga jashtë (emri, kisha, historia nacionale) , të cilat e vështirësuan dukshëm atë në integrimin euro-atlantik.

Deri në vitin 2001 lidershipi maqedonas udhëhoqi politikë pro-ruse, e cila shpiente në prishjen e kohezionit të brendshëm social e etnik dhe ishte kundër statusit që garantonte barazinë e shqiptarëve. Por me rezistencën e vitit 2001, shqiptarët kontribuuan në amortizimin e ndikimit rus në Maqedoni duke e orientuar shtetin drejt vlerave euro-atlantike. Kjo u arrit përmes Marrëveshjes së Ohrit që u reflektua në ndryshimet kushtetuese që pasuan. MO përfundimisht e shkëputi Maqedoninë nga ndikimi rus dhe e përforcoi kursin euro-atlantik. MO e parandaloi konfliktin ndëretnik dhe përkufizimin territotorial mbi baza etnike.

Pasoi Marrëveshja e Prespës, që ia hapi dyert anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Me tejkalimin e problemeve të hapura me Bullgarinë që do të pasojnë me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia definitivisht evropianizohet dhe shkëputet nga fryma dhe ndikimi rus.

Gjatë procesit të shtendërtimit të Maqedonisë, shqiptarët janë treguar faktor stabiliteti, dhe ruajtës të paqes ballkanike, duke investuar politikisht në dy kauza të mëdha: BE dhe NATO. Këto kauza kishin edhe kosto mbi rejtingun e partive politike në elektoratin shqiptar, por lidershipi shqiptar tregoi maturi dhe pjekuri duke favorizuar evropianizimin e Maqedonisë, si parakusht edhe për barazi të plotë nacionale të shqiptarëve.

Në opinionin maqedonas jo rrallë qarkullojnë zëra se me ndryshimet e paralajmëruara kshtetuese gjoja do të zbehet identiteti nacional i maqedonasve. Në fakt këto ndryshime do ta fuqizojnë edhe më tepër këtë identitet dhe kjo u konfirmua edhe nga Bundestagu Gjerman i cili përmes një rezolute të pasaçme njohu tiparet dhe veçantitë e identitetit nacional maqedonas. Pritet që shumë shpejt me një qëndrim të ngjashëm do të del edhe Kongresi Amerikan, me çka edhe ndërkombëtarisht jepet garancë se identiteti nacional i maqedonasve është i pacënueshëm nga çfarëdo lloj ndryshimi kushtetues që mund të ndodhë.

Ata që kundështojnë ndryshimet kushtetuese, janë për ruajtjen e status-quos, duke mos pranuar realitetin e ri në të cilin u zhvillua ideniteti maqedonas, për të cilin ishin angazhuar edhe rilindasit e këtij populli. Mospranimi i realitetit të ri e konfronton identitetin maqedonas me historinë në të cilin u krijua dhe zhvillua ky komb, prandaj të gjithë ata që kundështojnë këtë realitet janë edhe kundër bashkëjetesës me shqiptarët dhe kundër faktorizimit të tyre në shtet.

Ndryshimet kushtetuese nuk kanë alternativë tjetër, sepse ato e hapin procesin evropianizues të Maqedonisë dhe largimin definitiv të ndikimit rus. Kjo gjithsesi do të ndikonte pozitivisht edhe në tejkalimin e problemeve në Bosnjë dhe në Kosovë, me çka  Maqedonia mund të bëhet model për tejkalimin e problemeve të hapura me fqinjët  si dhe një faktor stabilizues për rajonin.

Në anën tjetër, shqiptarët duke njohur Maqedoninë  e Veriut si shtet dhe identitetin e ri maqedonas, po i rikthehen formulës së dikurshme të Rilindjes: “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit”, një formulë kjo efikase për parandalim i ideve destabilizuese në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni, të cilat po shfaqen në skenën politike përmes të majtës ekstreme dhe frymës fetare në subjekte të caktuara politike.

Forca ndikuese e faktorit politik shqiptar gjithmonë ka qenë pengesë e qarqeve që kanë stimuluar deatomizimin e këtij faktori, duke nxjerrë nga mënga grupime partiake  të cilat përmes shkërmoqjes së elektoratit shqiptar i bëjnë një shërbim kolosal rrymave politike proruse në Maqedoninë e Veriut.

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Shkup, 12 gusht 2023