Shkup, në mesin e personave të arrestuar për pasaportat e “narkobosëve” ka edhe shqiptarë

Në aksionin policor “Sozia” ka të arrestuar maqedonas, shqiptarë dhe boshnjakë, meshkuj dhe ferma. Kështu raporton “Doj;e Vele” duke nxjerrë detaje nga aksioni policor ku u arrestuan nëntë persona.
Për momentin në arrati është vetëm personi ndërmjetësues për pasaportat, i cili nuk është i punësuar në MPB, transmeton gazeta Lajm.
Sipas DV, personat janë përcjellë një kohë të gjatë. Rasti fillimisht ka qenë në dorë të Prokurorisë për krim të organizuar, kurse në dhjetor të vitit 2020 ka kaluar në dorë të Prokurorisë themelore në Shkup.
Ndërkohë ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ka folur edhe për çmimet që kanë paguar narkobosat ndërkombëtarë për t’u pajisur me pasaportë të Maqedonisë së Veriut.
Duke folur në emisionin “Utrinski Brifing”, Spasovski ka thënë se çmimi për një pasaportë maqedonase ka shkuar deri në 20 mijë euro, transmeton gazeta Lajm. Duke pasur parasysh se në këtë mënyrë janë dhënë 215 pasaporta, atëherë rezulton se shifra e përgjithshme që ka qarkulluar në këtë “biznes” është mbi katër milionë euro.
“Të dyshuarit kanë dhënë pasaporta të rrejshme ekskluzivisht për para. Shifra ka arritur edhe deri në 20 mijë euro. E dini që muajt e kaluar u arrestuan persona që kanë dhënë patenta të falsifikuara shoferi për shuma nga 1.500 deri në 2.000 euro”, tha Spasovski
Ai ka theksuar se një prej 9 personave të punësuar në MPB, që janë arrestuar në aksionin “Sozia”, ka qenë në komunikim të dit për ditshëm me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ministri i punëve të brendshme ka përsëritur edhe një herë akuzat se VMRO-DPMNE ka sabotuar aksionin, duke nxjerrë detaje në mediume.
Mirëpo ish ministri i MPB-së në qeverinë teknike nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev, ka thënë se që në kohën e tij në vitin 2019 hetimet për këtë aferë janë kompletuar dhe ka akuzuar Spasovskin për stërzgjatje të aksionit për ndërprerje të kësaj afere.