Të dhëna shqetësuese dhe alarmuese zbuloi në emisionin “10minuta” Drejtori Qendrës Sociale Shkup, Izeir Memedi – çdo ditë paraqiten nga 30 deri 40 lëndë për divorc.
“Është diçka që shumë pak janë të informuar qytetarët dhe ajo është dhuna familjare, ndarja familjare, e drejta për pasurinë, kujdesi ndaj fëmijës… Për fat të keq, unë jam duke u habitur se nuk kemi një ardhmëri të shëndosh. Çdo ditë, nga 30-40 lëndë vijnë për ndarje. Foli vetëm për Shkupin.”- deklaroi Izeir Memedi, Drejtor i Qendrës Sociale-Shkup
Po pse çdo ditë e më shumë po rritet numri i divorceve?
Sociologu Ali Pajaziti rikujton se nëse më herët divorcet kanë qenë të rralla dhe janë bërë pas disa viteve, tani ndodhin pas disa muajsh martesë, si pasojë e mosdurimit.
“Divorcet mund të parandalohen me një përgatitje mentale të atyre që duan të hyjnë në ujërat martesore, ta dinë se jeta ka ulje dhe ngritje dhe se nuk është gjithçka qumësht dhe mjaltë, sepse ka edhe telashe dhe probleme, ndonjëherë mund të ketë edhe kacafytje verbale dhe për pak e për shumë nuk guxon që të hapet front, duhet më tepër durim.”- tha Ali Pajaziti, Sociolog.
Nga ana tjetër, sociologu Lulzim Murtezani shprehet se në shoqëritë perëndimore divorci është bërë një pjesë e kulturës dhe nuk konsiderohet si diçka negative, ndërsa në kulturën tonë divorci shihet një ngjarje që trondit të gjithë ata që pësojnë. Ai flet edhe për pasojat që vijnë nga ndarja.
“Pasojat mund të jenë individualisht tek partnerët, te bashkëshorti/ja në zhgënjimin në traumat të cilat i përjeton, por ajo që është më serioze pasojat mund të reflektohen tek fëmijët e tyre, të cilët ndoshta janë dëshmitarë të zënkave, mosmarrëveshjeve dhe kjo ngjarje divorci akoma më shumë do t’i traumatizojë fëmijët. Është vërtetuar se të rriturit që kanë një eksperiencë me prindër të divorcuar, këto të rritur më pas do e kenë shumë të vështirë të krijojnë lidhje stabile.”- th Lulzim Murtezani, Sociolog.
Qytetarët mendojnë se drejt divorcit çon ekonomia në çift si dhe disa vese të meshkujve që i detyrojnë gratë të largohen.
Kot ke dashuri, kur nuk ke të holla çfarë ke për të ngrënë?! Do të grindesh, do të grindesh! Dhe kjo është edhe njëra edhe tjetra, edhe nëse ka dashuri, çfarë do të bëjmë, eja të dashurohemi dhe pastaj nuk ke për të ngrënë dhe për këtë prishen martesat, jo për diçka tjetër.
Është labile në këtë kohë sepse gjysma e meshkujve luajnë bixhoz, janë të varur nga alkooli, i torturojnë gratë dhe gruaja patjetër të ikë nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe pastaj ka pasoja. Procedura për shkurorëzim tani është shumë e shpejtë. Unë u divorcova shumë vite më parë, martesa ime u prish pas 5 vitesh, u shkurorëzova prej gabimit tim. Tani nuk e di shkurorëzimet a bëhen prej gabimeve apo pa gabime
Të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se numri i divorceve në vitin 2022 shënoi rënie prej 17,9% krahasuar me vitin 2021 dhe arriti në 1613 prishje martesash. Sipas moshës, numri më i madh i divorceve, 18.5% te femrat dhe 17.4% te meshkujt, ka ndodhur në të njëjtën grupmoshë 30-34 vjeç. Sipas kohëzgjatjes së martesës, shumica e divorceve 360 ose 22.3% kanë ndodhur nga 5 deri në 9 vjet pas lidhjes së martesës.




