“Shkrirja” e çmimeve të produkteve bazë – shok tjetër për qytetarët?

Buka, sheqeri, vezët, mielli, vaji, orizi dhe produkte e qumështit në raftet e marketeve mund të ndryshojnë nga 1 korriku pasi ndërpritet “ngrirja” e çmimeve të produkteve bazë, njofton KlanM.

Me vendim të qeverisë marzha u vendos deri më 30 qershor ndërsa prej kësaj date tregtarët mund të vendosin vetë çmimet e produkteve.

Marzhat e vendosura, sic njofton KlanM, kufizuan rritjen e çmimeve të produkteve por jo gjithkund. Sipas të dhënave nga Inspektorati i Tregut vetëm në muajin maj janë konstatuar 130 parregullësi.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut vepron në bazë të vendimit të Qeverise për ngrirjen e çmimeve, në muajin maj të këtij viti ka kryer 460 kontrolle ndërsa janë shqiptuar 130 dënime në vlerë prej 2.578.788 denarë”, thonë nga Inspektorati i Tregut.

Ministria e Ekonomisë, sic percjell KlanM, vlerëson se duke marrë parasysh se në tregje janë stabilizuar çmimet vendore, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të bursës, pas 30 Qershorit, kur skadon afati për zbatimin e Vendimit për marzhat tregtare, çmimet duhet të konstatohen sipas kushteve të tregut.

Ndërsa tash ua le në ndërgjegjjen e prodhuesve dhe tregtarëve te demonstrojnë pergjegjësi.

“Ministria e Ekonomisë ua le prodhuesve dhe tregtareve te demonstrojne pergjegjesi sociale pas perfundimit te mases”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Në tregjet e gjelbërta, sic njofton KlanM, është vërejtur ngritja e çmimeve të pemëve dhe perimeve veçanërisht tash në prag të festës së Bajramit. Qytetarët druajnë ngritjen e çmimeve edhe më shumë pas ndërprerjes së ngrirjes të çmimeve të produkteve bazë.

Ministria e Ekonomisë siguron se nga çmimet e lëndëve të para të energjensave në bursat botërore do të varet vazhdimi i mundshëm i masës për marzha të kufizuara tregtare./KlanMacedonia