“Shkoni more në djall”/ Rusia tërhiqet nga ishulli i Gjarprit, “çlirohen” eksportet bujqësore?!

Trupat ruse u larguan nga ishulli strategjik i Gjarprit në Ukrainë, për të treguar sipas Moskës se ajo nuk po i bllokon përpjekjet për të eksportuar produktet bujqësore.

“Në 30 qershor, si shenjë e vullnetit të mirë, forcat e armatosura ruse përfunduan detyrat e tyre në ishullin e Gjarprit dhe tërhoqën garnizonin e vendosur atje. Kjo i tregon komunitetit ndërkombëtar se Rusia nuk po i pengon përpjekjet e OKB-së për të garantimin e një korridori që të lejojë transportin e produkteve bujqësore nga Ukraina”, tha Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Tjetër version të ngjarjes jep pala ukrainase. Kievi pretendon se ishin trupat e tij që e larguan ushtrinë ruse nga ky ishull.

“Forcat tona të armatosura kanë bërë punë të mrekullueshme”, tha Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili postoi dhe TWitter dhe foto ku shihej tym tym në disa pjesë të ishullit të pushtuar nga Rusia në ditët e para të fillimit të konfliktit.

Kontrollimi i Ishullit të Gjarprit, i cili gjendet rreth 40 kilometra larg brigjeve ukrainase, i mundësoi rusëve kërcënimin e rrugëve detare që çojnë në Odesa, porti kryesor i përdorur nga Ukraina për transportin e grurit nëpër botë.

Ky ishull u kthye në simbolin e rezistencës ndaj pushtimit rus, pasi rojet bregdetare ukrainase të vendosura aty, refuzuan kërkesat ruse që të largoheshin, apo në të kundërtën do të vriteshin, në ditët e para të luftës.

Si përgjigje, një roje kufitare pati dërguar mesazh për anijen ruse, Moskva: “Anije ruse, shko në djall”.

Anija më pas bombardoi ishullin, ndërsa më vonë edhe Moskva vetë u godit nga dy raketa ukrainase dhe u fundos.

Top Channel