Shkon në 7 numri i të prekurve nga koronavirusi në Greqi

Bëhet fjalë për një person në Selanik dhe dy në Athinë. Sipas specialistëve nga të shtatë personat vetëm katër prej tyre kanë qenë në zonat e Italisë së veriut kurse tre të tjerët duket se janë infektuar gjatë kontaktit me ta.

Është karakteristik fakti që dy prej tre rasteve të reja janë infektuar jo nga kontakti i drejtpërdrejtë me personat e ardhur nga Italia , por nga njerëz të tjerë të rrethit familjar të pacientëve apo të kolegëve të tyre të punës.

E thënë ndryshe, sipas specialisëve, kemi tashme të bëjmë në Greqi , me një “shpërndarje “ të brendshme të virusit në fjalë .

Deri orët e fundit janë kryer kontrollet përkatëse edhe për rreth 150 vete që kanë ardhur në kontakt me rastet e para të personave të infektuar.

Specialistet vlerësojnë se numri i rasteve mund të rritet nga dita në ditë ndërkohë që vazhdon zbatimi i masave paraprake si dezinfektimi i shkollave apo sallave publike.

Por në shumë raste janë vetë qytetarët që nuk zbatojnë masat e marra. Megjithëse ministria e Shëndetësisë ka deklaruar anulimin e festimeve te karnavaleve, në qytetet si Nausa, Ksanthi, Patra e Iraklio ,organizatorët po zhvillojnë ato normalisht. /tch