Haradinaj-Ramës: Po vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu ka kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me akuzat që ky i fundit ia ka bërë Haradinajt për Albin Kurtin, duke i thënë se Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov .

Haradinaj ka shkruar në Facebook se është i kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj tij.

“E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit. Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, ka shkruar ai.