Shkon në 125 numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar për 13 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë”, është në njoftim.

Aty po ashtu është thënë se të mërkurën është bërë i ditur lajmi për shërimin e katër personave nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 125 persona të prekur dhe një të vdekur me koronavirus.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.