Shkollat e Gostivarit janë për mësim me prezencë fizike

Shkollat e Gostivarit janë për mësim me prezencë fizike të nxënësve në shkolla. Ky model pëlqehet më së shumti edhe nga mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve, me përjashtim të Shkollës së Mesme të Mjeksisë, që është për mësim nga distanca, shkaku i numrit të madh të nxënësve dhe hapësirave të pamjaftueshme për atë numër të nxënësve.

Informacioni bëhet ditur nga përgjegjësa e sektorit për arsim në komunën e Gostivarit, Imërlije Saliu. Saliu bën me dije se përveç kërkesës për të realizuar mësimin me prezencë fizike, drejtuesit e shkollave kërkojnë që të rritet personeli për mirëmbajtjen e higjienës, mësimdhënësit ti nënshtrohen testit për Covid 19 si edhe trajnimin e stafit mësimdhënës të shkollave ku mund të aplikohet mësimi online .

Raportet nga shkollat së bashku me kërkesat e parashtruara do ti dërgohen për shqyrtim ministrisë së arsimit, e cilët do ta ketë fjalën e fundit. Saliu thotë se pavarësisht përgjigjes që do të marrin nga ministria e arsimit, ata si sektor do ti respektojnë vendimet.

Në shkollat e Gostivarit mësimin e ndjekin rreth 9000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa për to kujdesen staf arsimor prej 1200 mësimdhënësish.

Ditë më parë ministri i arsimit, Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp pas takimit që pati me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se mësimi për vitin e ri shkollor do të bëhet sipas propozimit të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, ku mësimi deri në klasën e tretë do të zhvillohet në prezencë duke respektuar protokollet, kurse klasat e tjera do të zhvillojnë mësim online.

Përjashtim nga mësimi online do të ketë për fëmijët në shkollat ku ka pak nxënës dhe ku mund të respektohet distancimi mbi 1.5 metër, ndërsa në komunat ku ka më pak nxënës dhe mund të zhvillohet me prezencë fizike, komunat duhet të dërgojnë kërkesë në ministri dhe më pas qeveria do të vendosë për hapje apo jo të asaj shkolle. Por edhe në këtë rast duhet të merret pëlqimi i prindërve.