Një histori frymëzuese suksesi vjen nga Mbretëria e Bashkuar, ku shqiptarja Arjola ka diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, duke kurorëzuar një rrugëtim të mbushur me sfida, sakrifica dhe përkushtim, transmeton albinfo.ch.
Ajo kishte mbërritur në Britani e vetme në moshën 16-vjeçare, larg familjes dhe pa mbështetjen e saj pranë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Arjola nuk hoqi dorë nga synimet e saj dhe, falë punës së palodhur dhe besimit në vetvete, arriti të realizojë ëndrrën për t’u diplomuar në Drejtësi.
Përveç angazhimit në studime, ajo ka kontribuar edhe në komunitet si vullnetare në organizatën Shpresa Programme, ku ka shërbyer si Kampione e Emigracionit dhe Kampione e Shëndetit Mendor, duke mbështetur dhe frymëzuar qindra të rinj dhe familje.
Në një mesazh urimi, organizata vlerësoi rrugëtimin e saj si dëshmi se sfidat nuk e përcaktojnë njeriun, por guximi, këmbëngulja dhe puna e vazhdueshme.
“Urime, Arjola! Ky është vetëm fillimi i një të ardhmeje të ndritur”, thuhet në mesazhin e publikuar nga organizata./Albinfo.ch



