Shkëndija triumfon në derbin ndaj Vardarit! Latifi shënoi golin e fitores

Shkëndija triumfoi në derbin ndaj Vardarit dhe kampionati i Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë po merr një dimension krejtësisht të ri. Në kompleksin “Petar Milloshevski” në Shkup, tetovarët fituan me rezultat 0:1.

Shkëndija avancoi golin e shënuar nga Liridon Latifii në pjesën e dytë, i cili erdhi falë asistimit të shkëlqyer të Ibraimit.

Rastin e parë dhe të vetëm në pjesën e parë, për të dyja ekipet, e pati Shkëndija kur në minutën e 32-të, pas një aksioni të mirë të mysafirëve, Krasniqi gjuajti nga një pozicion ideal, por Taleski mbylli këndin në mënyrë të shkëlqyer dhe shpëtoi një gol të sigurt.

Pjesa e dytë ndryshoi pasi në lojë hyri kapiteni Besart Ibraimi. Pas një kundërsulmi të shpejtë, ai doli i vetëm në krahun e majtë dhe asistoi pa ego për Latifin, i cili në situatë një me një me Taleskin nuk gaboi dhe i dha epërsinë mysafirëve. Më pas Ibraimi provoi edhe me një goditje nga distanca e mesme që kaloi milimetra pranë shtyllës së portës së Vardarit.

Në minutën e 77-të, Shkëndija pati mundësinë për të dyfishuar epërsinë, por aksioni në të cilin Latifii doli i vetëm përballë Taleskit nuk përfundoi me gol.

Portieri i Vardarit priti në mënyrë fantastike në situatën një me një me autorin e golit të vetëm deri në atë moment dhe e mbajti ekipin vendas në lojë. Me këtë fitore diferenca në tabelë me liderin ende në krye, Vardarin, është vetëm një pikë dhe situata pritet të dramatizohet akoma më shumë deri në fund të sezonit.