Manchester City ka arritur fitore në kuadër të xhiros 33 në Premier Ligë, ndaj Watford.
‘Citizens’ mposhtën me rezultat të thellë 5:1 Watfordin, kështu duke shkuar me hapa të sigurt drejt titullit në Premier Ligë.
Paraqitje fenomenale në këtë takim kishte Gabriel Jesus, i cili shënoi katër gola dhe dhuroi një asistim.
Në minutën e 4` pas asistimit nga Zinchenko, Jesus gjeti golin e parë, për t`ia dhuruar epërsinë Cityt.
19 minuta më pas i njëjti dyfishoi epërsinë, këtë herë pas asistimit nga magjiku Kevin De Bruyne, për rezultatin 2:0.
Në minutën e 28` Watford shënoi për të ngushtuar epërsinë, me anë të Kamara dhe kjo ishte e tëra që arriti të bëjë ekipi mysafirë.
Në minutën e 34` Rodri shënoi një supergol, pas asistimit nga Jesus, për rezultatin 3:1.
Pjesa e parë u mbyll me atë rezultat. Pjesa e dytë vazhdoi më mirë për vendasit, të cilët gjetën golin edhe dy herë të tjera.
Ishte Jesus nga pika e bardhë që shënoi për 4:1, ndërsa pas vetëm katër minutash, shënoi përsëri braziliani, pas asistimit të dytë të De Bruyne, për rezultatin final 5:1.
Pas kësaj fitore Manchester City shkon në kuotën e 80 pikëve, në vendin e parë, ndërsa Watford qëndron në vendin e 19, me 22 pikë gjithsej.