Shkeljet e të huajve në “Safe City”, shumë shpejtë në fuqi

Alsat mëson se dhjetëra mijëra gjoba të veturave me të targa të huaja janë evidentuar në sistemin Safe City që prej kur ka hyrë në fuqi. Të dhënat së shpejti pritet të kryqëzohen edhe me sistemin “Lotus” që përdorin pikat kufitare në vend. Autoritetet e MPB-së derisa publikojnë statistika për shtetasit e Maqedonisë, deri më tani nuk kanë publikuar asnjë të dhënë se sa shtetas të huaj kanë shkelur rregullat e trafikut që janë në shënjestër të sistemit “Safe City”.

Pas procedimit të gjobave dhe futjes së tyre në sistem, nuk dihet se si do të zgjidhet çështja e pagesës. Derisa sistemi njeh vetëm targat e makinës që ka bërë shkeljen, shkelësi në këtë rast që nuk është shtetas nuk evidentohet në sistem, që do të thotë në pikat kufitare pengohet automjeti dhe jo drejtuesi. Në këtë rast, kontrolli kufitar, përkatësisht policia do t’i kërkonte drejtuesit aktual të paguante gjobën që i referohet makinës që ka shkel rregullin në trafik. Çështja aktualizohet meqenëse në muajt në vazhdim pritet të ketë fluks të lartë të mërgimtarëve.

Sipas një deklarate paraprake të ministrit Pançe Toshkovski, shtetasit e huaj do të obligohen të paguajnë gjobat para se të hyjnë në kufi.

“Të huajt, automjetet e huaja gjatë daljes nga Maqedonia nuk mund të pengohen të dalin, ajo është sipas ligjit, dhe nuk mundet përndryshe, por do të jenë të informuar se nuk do t’u lejohet hyrje në Maqedoni nëse nuk e paguajnë dënimin që e kanë shkaktuar me mosrespektim të rregullave të komunikacionit”, ka deklaruar Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm më 2 dhjetor të vitit 2025.

Safe City hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, ndërsa është aktiv në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa paralajmërohet zgjerimi në mbarë vendin. Në muajin maj nga kamerat e Safe City janë regjistruar rreth 29 mijë shkelje, ndërsa janë caktuar rreth 17 mijë gjoba. /Alsat.mk