Shkaku i gripit mbi 600 nxënës mungojnë në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

Gjysmëvjetori dytë në Tetovë ka filluar me 610 nxënës më pak, të cilët po mungojnë për shkak të gripit sezonal. Shumica prej tyre janë nxënës të shkollave fillore, por i lartë është numri edhe i nxënësve të shkollave të mesme që nuk po shkojnë në mësim.

“Sipas të dhënave që kemi marr deri më tani në shkollat fillore kemi deri në 400 nxënës të cilët nuk ndjekin procesin arsimor shkaku i virozave dhe 210 nxënës përafërsisht në shkolla të mese të cilët po ashtu që janë me virozë. Besojmë që kjo fazë e virozave do të ketë rënie dhe nxënësit do t’u kthehen bankave të shkollave dhe është mirë që nxënësit që janë me virozë një apel deri tek prindërit që fëmijët e tyre që kanë viroza mos t’i lëshojnë në shkolla”, u shpreh Nazmi Dauti – Sektori për Arsim.

Shkolla “Liria” në Tetovë ka mungesën më të lartë të nxënësve. Drejtoresha Farie Idrizi Kasami thotë se në çdo klasë mungojnë nga 5 deri në 13 nxënës.

“Në disa klasa kemi pasur nga 12 nxënës nga pesë nxënës varësisht nga klasa dhe një apel deri tek prindërit që fëmijët e tyre nëse kanë simptoma të gripit fëmijët e tyre të mos lëshohen në shkollë”, tha Farie Idrizi-Kasami – drejtoresh e shkollës “Liria” – Tetovë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ditë më parë deklaroi se është e kënaqur që gripi nuk ka arritur në një nivel që do të kërkonte zgjatjen e pushimeve dimërore dhe se nxënësit e kanë filluar gjysmën e dytë të vitit shkollor. Duke folur për shqetësimet për përhapjen e viruseve, ministrja shtoi se gripi nuk merret vetëm në shkollë, por edhe në shtëpi, në rrugë ose gjatë skijimit.