SHGM: Gjykata e refuzoi padinë e Apasievit kundër gazetarëve

Në Gjykatën Themelore në Shkup sot u publikua aktgjykimi me të cilin lirohen nga akuza gazetarët Meri Jordanovska dhe Pedrag Petroviq nga “A1on”. Ky aktgjykim pason pas padisë private të dorëzuar nga deputeti dhe lideri i partisë politike “E majta” Dimitar Apasiev i cili i paditi gazetarët për “publikimin e paautorizuar të regjistirmeve personale” sipas nenit 148 të Ligjit Penal, informojnë nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë.

Nga SHGM-ja sqarojnë se në procedurën e cila ka zgjatur thuajse një vit, paditësi nuk është paraqitur personalisht asnjëherë në seancë ndërsa gazetarët më shumë herë kanë qenë të pranishëm në seancat e gjykatës ku e kanë përfaqësuar mbrojtjen e tyre.

“Pas shpalljes së aktgjykimit, kolegia ime Meri Jordanovska tha: “Funksionarët shtetërorë duhet të kuptojnë se funksionin e kryejnë 24/7 dhe janë më shumë subjekt i kritikave publike, qofshin ato në e-mail, mesazhe, telefon zyrtar apo privat. Dhe kur ne si gazetarë i kërkojmë, i kërkojmë në emër të publikut, për gjëra që janë me interes publik, prandaj nuk guxon të vendoset praktika e futjes së frikës dhe censurës”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.