Shekerinska: RMV si anëtare e NATO-s do ta ndihmojë integrimin e vendeve aspiruese të Evropës Juglindore

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot përmes lidhjes video-konferenciale mori pjesë në takimin e SHBA-së – Karta e Adriatikut, në të cilën është folur për temat me interes të lartë – përballjen me pandeminë e korona virusit, sfidat dhe mundësitë për pandeminë, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, përballejn me dezinformatat të cilat janë rrezik i sigurisë si edhe menaxhmentin e krizave dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik.

Vendet anëtare të SHBA-së – Kartës së Adriatikut, kumtoi Ministria e Mbrojtjes, e përshëndetën plotësimin e qëllimit strategjik të Maqedonisë së Veriut – anëtarësimin në NATO. Ministrja Shekerinska potencoi se Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështetë politikën e dyerve të hapura të NATO-s në vendet aspiruese të Evropës Juglindore, integrimi i së cilës është me rëndësi të madhe për stabilitetin e Evropës dhe sigurisë së përgjithshme euroatlantike.

Në një deklaratë të përbashkët të takimit ministror, u theksua angazhimi i fuqishëm i vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut të zhvillohet bashkëpunimi rajonal në mbrojtje dhe të stimulohen reformat në mbrojtje dhe siguri. U përshëndet edhe mbështetja e Armatës për autoritetet civile në përballjen me Kovid-19 dhe u potencua rëndësia e koordinimit rajonal në përballjen me krizat. Në këtë kuptim, ministrja Shekerinska i ftoi vendet-anëtare të A5 të marrin pjesë në stërvitjen ndërkombëtare të Qendrës euroatlantike për përgjigje ndaj krizave, me mbi 2000 pjesëmarrës, e cila në vjeshtë të vitit të ardhshëm do të mbahet në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, së bashku me SHBA-në, si vende-anëtare të NATO-s, do ta kryesojnë procesin e promovimit të politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe për mbështetjen e vendeve aspiruese të Evropës Juglindore drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO – u konstatua në takim.

Duke folur për sfidën me të cilën për momentin po lufton e mbarë bota – pandeminë me Kovid-19, ministrja Shekerinska informoi se në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje krize, ndërsa Armata është angazhuar në mbështetjen e shëndetësisë, policisë dhe institucionet civile. Bashkëpunimi rajonal dhe këmbimi i përvojave në përballjen me pandeminë do ta përmirësojë gatishmërinë kombëtare dhe kolektive për përballjen e suksesshme me sfidën.

“Pandemia dëshmoi se kapacitetet ushtarake janë shumë të rëndësishme në mbështetjen e institucioneve civile në kohë krize. Duhet të investojmë në kapacitetet e mbrojtjes dhe në bashkëpunimin civilo-ushtarak. Në këtë sferë me rëndësi të madhe është edhe bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave”, tha Shekerinska në takim.

Ministrja porositi se një prej prioriteteve të Qeverisë është transparenca dhe angazhimet për përballje me dezinformatat të cilat e dëmtojnë efektivitetin e masave kundër përhapjes së pandemisë.

Ministrja u përqendrua edhe në nevojën e ndërtimit të kapaciteteve për menaxhmentin e krizave, duke e potencuar rëndësinë për koordinimin ndërqeveritar dhe ndërshtetëror në këtë sferë, si edhe bashkëpunimin me qendrën koordinuese të NATO-s për përgjigje ndaj krizave përmes së cilës Maqedonia e Veriut si anëtare e Aleancës, para ca kohësh mori pajisje mjekësore – 60 respiratorë transportues, në vlerë prej 1,4 milionë euro.

Në takim krahas ministres Shekerinska morën pjesë edhe ministrat e Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Sifet Podzhiq, të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, sekretari shtetëror kroat, Zdravko Jakop dhe nënsekretari i Politikës mbrojtëse në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, Entoni Tata. Si përfaqësues të vendeve – vëzhguese në takim morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë, Urosh Lampert.