Shekerinska: Kemi shfrytëzuar çdo mundësi për të kërkuar llogaridhënie për Banjskën

Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka thënë se NATO e ka shfrytëzuar çdo mundësi për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë dhe dhunën ndaj KFOR-it.

Pavarësisht kësaj, Shekerinska në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Klan Kosovës, Liridon Zeqirin, tha se asgjë nuk mund ta zëvendësojë një dialog politik të vërtetë, substancial dhe kuptimplotë.

“Ne besojmë fuqimisht se dialogu është e vetmja rrugë drejt sigurisë reale dhe të qëndrueshme në rajon. Sigurisht, ne e kemi dënuar dhunën në vitin 2023, si dhunën ndaj KFOR-it, por edhe incidentin në Banjskë”.

“Dhe ne kemi shfrytëzuar çdo mundësi për të kërkuar llogaridhënie në lidhje me to.  Por asgjë nuk mund të zëvendësojë një dialog politik të vërtetë, substancial dhe kuptimplotë. Dhe kjo është një zgjedhje që duhet të bëjnë Beogradi dhe Prishtina”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo u shpreh edhe një herë se NATO e mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, teksa tha se kanë komunikim të shpeshtë dhe të vazhdueshëm me përfaqësuesin e BE-së për dialog.