Shek Hallaçi partive shqiptare: Si e vlerësoni kërkesën e Mickovskit për ngjarjet e 27 prillit? …drejtësi e barabatë apo selektive?

Shkruan: Shek Hallaçi

Ju drejtohem përfaqësuesve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Sot flitet për drejtësi.
Sot kërkohet rishqyrtim.
Sot përmendet “e vërteta”.

Por pyetja që nuk mund të shmanget është e thjeshtë:
Ku ishte kjo drejtësi dje?

Si e vlerësoni kërkesën për rishqyrtim dhe “drejtësi” nga Hristijan Mickoski lidhur me ngjarjet e 27 prillit?

A është kjo drejtësi e barabartë… apo drejtësi selektive?

Sepse për vite me radhë, raste si Ngjarjet e Kumanovës, rasti “Monstra”, rasti “Alfa” dhe shumë raste të tjera janë përdorur vetëm për poena politike, sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Ndërsa kur vini në pushtet, heshtni “patriotët” e mitingjeve zhduken.

Dhe më e dhimbshmja nuk është vetëm heshtja politike.

Është realiteti i rëndë që shumë shqiptarë sot ndodhen në Burgun e Idrizovës, duke vuajtur dënime që për familjet e tyre mbeten të shoqëruara me dyshime serioze për procese të montuara politikisht.
Njerëz të ndarë nga familjet.
Jetë të pezulluara.
Dhe plagë që nuk mbyllen.

Dhe le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë.

Në rastin e 27 prillit, të dënuarve u janë mundësuar lehtësime ndërprerje të dënimit dhe shfrytëzim i vikendeve.
Ndërkohë, për disa pjesëtarë të grupit të Kumanovës të dënuar padrejtësisht dhe të trajtuar si pjesë “logjistike” këto të drejta nuk janë respektuar dhe nuk janë lejuar, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre shqiptare.
Këto të drejta janë mohuar plotësisht, edhe pse sot për disa prej tyre kanë mbetur vetëm 2–3 vite nga përfundimi i dënimit.

Kjo nuk është më dyshim.
Kjo është pabarazi e hapur.
Kjo është drejtësi me dy standarde.

Në këtë realitet, pyetja nuk është më vetëm politike është thellësisht njerëzore:

A po matet drejtësia njësoj për të gjithë?
Apo vetëm kur i shërben kalkulimeve të momentit me të njëjtin avaz të vjetër të VMRO-së?

Sepse drejtësia që funksionon me standard të dyfishtë nuk është drejtësi.
Është padrejtësi e organizuar.

Dhe heshtja përballë saj nuk është neutralitet është bashkëfajësi.

Prandaj, nëse nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë,
atëherë mos flisni fare për drejtësi.

Sepse në të kundërtën, çdo fjalë e juaja është vetëm propagandë
ndërsa realiteti është padrejtësia që shqiptarët po e paguajnë çdo ditë.

Dhe kur drejtësia vazhdon të jetë selektive,
ajo nuk është më drejtësi është një sistem kundër shqiptarëve.